Kur qeveritarët përndjekin mjekët

Përndjekja e mjekëve, shkencëtarëve, dhe të gjithë atyre që kanë guximin të dalin kundër dijeve ose normave standarde të kohës, është një dukuri e lashtë

Shkruan: César Chelala

Nga Galileo tek Fauçi

Një nga rastet më të famshme ka të bëjë me astronomin, fizikantin dhe inxhinierin nga Piza e italisë, Galileo Galilei. Ai u persekutua nga Kisha Katolike në fillim të shekullit XVII-të, pasi koncepti i tij mbi Universin, nuk ishte në përputhje me mendimin teologjik të kohës.

Mbrojtja e teorisë “heliocentrike” nga Galileo – sipas së cilës është Toka dhe planetët e tjerë, ato që rrotullohen rreth Diellit në qendër të sistemit diellor – u hetua nga Inkuizicioni në Romë në vitin 1615.

Shkencëtari u gjykua nga Inkuizicioni, u shpall si “i dyshuar për herezi”, dhe u detyrua të tërheqë mbrapsht ato që pretendonte. Ai e kaloi pjesën tjetër të jetës nën arrest shtëpiak.

Deri më tani, Entoni Fauçi ka qenë më me fat se Galilei.

Me gjithë përpjekjet e përsëritura nga presidenti aktual amerikan dhe administrata e tij, shumica e amerikanëve vazhdojnë t’i besojnë më shumë atij sesa Donald Trumpit.

Sipas një sondazhi të realizuar nga “The Neë York Times” dhe Siena College, 67 për qind e amerikanëve i besojnë dr.Fauçit si një burim informacioni i saktë në lidhje me pandeminë e Covid-19, ndërsa vetëm 26 për qind i besojnë shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Fauçi në një “duel” me Trumpin?

Kur të vijë koha e një sulmi tjetër nga Donald Trumpi apo njerëzit e tij, Fauçi mund të këshillohet të veprojë sipas traditës krenare të mjekëve kurajozë. Në mendje më vjen

një rast i veçantë. Në vitin 1865, Rudolf Virshov, mjek, shkrimtar, shkencëtar dhe politikan gjerman, e kritikoi qeverinë e tij për investimet e mëdha në ushtri, në vend të një vëmendje më të madhe ndaj arsimit dhe eliminimit të varfërisë.

Virshov i njihet merita e hartimit të programeve të para mbi shëndetin publik në Gjermani. Sipas legjendës, pas një sulmi të rëndë verbal nga Virshov, kancelari gjerman Oto von Bismark u zemërua aq shumë, sa që i dërgoi menjëherë njerëzit e tij në laboratorin ku punonte Virshov, për ta njoftuar se e sfidonte këtë të fundit në një duel klasik më armë.

Zgjedhja e suxhukut të duhur

Zyrtarët e Bismarkut e gjetën shkencëtarin duke punuar me Trichinella spiralis, parazitin më të vogël nematodik të njerëzve, dhe një nga parazitët më të rëndësishëm klinikë në botë. Ai është shkaktar i sëmundjes Trichinosis, që po bënte kërdinë më atë kohë në Gjermani.

Ndaj Virshov po punonte në mënyrën më të mirë për ta kontrolluar atë. “Oh”- tha Virshov, “një sfidë për duel nga Princi Bismark? Epo mirë, meqë unë jam pala e sfiduar, supozoj se kam të drejtën e zgjedhjes së armëve. Ja ku i keni!”.

Ai u tregoi vizitorëve të tij dy saxhukë të mëdhenj, të cilat nga jashtë dukeshin njësoj. “Një nga këta suxhukë, është i mbushur me Trichinella spiralis, pra është vdekjeprurës. Tjetri është tërësisht i shëndetshëm. Nga jashtë, ato nuk mund të tregohen veç e veç. Lëreni Shkëlqesinë e tij të më bëjë nderin e madh duke zgjedhur cilin nga suxhukët dëshiron të

hajë, dhe unë do të zgjedh të ha suxhukun tjetër”. Dueli u anulua shpejt. Incidenti njihet jo-zyrtarisht si Dueli i Madh i Suxhukut i vitit 1865.

Lufta kundër tregtisë së madhe

Por përndjekja e mjekëve dhe shkencëtarëve në histori, nuk ka të bëjë vetëm me shkencën. Ajo është shpesh e lidhur ngushtë edhe me interesat e biznesit. I tillë është rasti i mjekes britanike Xhudit Mekej, që nga vitet 1960 foli kundër kompanive të duhanit, pasi ishte studiuar ndikimin e pirjes së duhanit mbi shëndetin e njerëzve në Hong Kong.

Ajo bëri një fushatë për rritjen e taksave, për të dekurajuar pirjen e duhanit tek të rinjtë, dhe kundër pirjes së duhanit në përgjithësi. Dr.Mekej i përqendroi interesat e saj në pirjen e duhanit në vendet me të ardhura të ulëta, pirjen e duhanit tek gratë, duke sfiduar ndikimin

në rritje të kompanive transnacionale të duhanit.

Kur i kërkoi qeverisë së Hong Kongut të miratojë rregulla më të rrepta për të ulur përdorimin e duhanit, ajo u përball vazhdimisht fyerje dhe kërcënime me vdekje. Prandaj nuk është e habitshme pse kompanitë shumëkombëshe të duhanit, u përpoqën të diskreditojnë kërkimet e saj shkencore.

Në fakt, ato e quanin mjeken një nga tre njerëzit më të rrezikshëm në botë. Në vitin 2009, ajo fitoi çmimin e parë “Medical Journal” në Britani. Falë punës së njerëzve si Dr. Mekej u shpëtuan dhjetëra miliona jetë. Vlerësohet se midis viteve 2008-2014, më shumë se 53 milionë njerëz në 88 vende të botës, e ndalën pirjen e duhanit falë masave të kontrollit të duhanit.

Një grua dhe parandalimi i 22 milionë vdekjeve

Sipas studiuesve në Qendrën Gjithëpërfshirëse mbi Kancerin Xhorxhtaun Lombardi, kjo do të thotë se u shmangën më shumë se 22 milionë vdekje të lidhura me pirjen e duhanit. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, kostoja totale ekonomike e pirjes së duhanit është më shumë se 300 miliardë dollarë në vit, përfshirë kujdesin e drejtpërdrejtë mjekësor, produktivitetin e humbur në punë, dhe ekspozimin e personave të tjerë ndaj pirjes së duhanit.

Ndërkohë, ndërsa koronavirusi vazhdon ta marrë jetë njerëzore, dhe të kërcënojë mbijetesën e popullatës amerikane, asnjë mjek tjetër nuk respektohet më shumë sesa Dr.Fauçi nga publiku. Kësisoj, sulmet ndaj mjekëve si Dr.Fauçi, që përkundër të gjitha parashikimeve po përpiqet të kontrollojë përhapjen e infeksionit të Covid-19, janë një rrugë që çon drejt vetë-shkatërrimit. / “The Globalist” – Bota.al

SHPËRNDAJE