Kurti e Sejdiu promovojnë flamurin kombëtar në takim me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë

Në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje, i nominuari për Kryeministër Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin, Dardan Sejdiu, takuan sot ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.

Sipas njoftimit të VV-së, gjatë këtij takimi u diskutua rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit dhe mbi oraret kushtetuese të formimit të koalicioneve qeverisëse, me ç’rast Kurti e Sejdiu folën mbi 40 masat konkrete për konsolidimin e zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe shprehën gatishmërinë e Vetëvendosjes për të drejtuar qeverinë.

“Këto 40 prioritete që burojnë nga Alternativa qeverisëse mbi Shtetin e së Drejtës, Shtetin Zhvillimor dhe Shtetin Social, u prezantuan si projekti me të cilin Lëvizja Vetëvendosje synon ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik e social të tij, përmes qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Gjithnjë sipas njoftimit të kësaj partie, ambasadorja kroate, Kapitanoviq, shprehu mbështetjen e saj dhe të shtetit kroat për Kosovën, si dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes Kosovës e Kroacisë.

“Po ashtu, u shpalosën qëndrimet e Vetëvendosjes mbi dialogun dhe tema të tjera, ku u diskutua veçanërisht rëndësia e angazhimit të përbashkët për të mundësuar avancimin e Kosovës në integrimet evropian dhe bashkëpunimin për NATO-n. Gjithashtu, u veçua edhe roli i mërgatës në ekonominë vendore me përvoja të përbashkëta të Kosovës e Kroacisë në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

Në fund, nga të dyja palët pati dakordim për të vazhduar komunikimin, për takime të tjera në të ardhmen e për thellim të bashkëpunimit.