Kurti: Le t’i publikojë Grenelli mesazhet nëse i kam thënë se e heq taksën pa reciprocitet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në takimet me ambasadorin Richard Grenell, asnjëherë nuk ka thënë se do ta heqë tarifën, pa reciprocitet.

“Kanë qenë dy takime me Grenellin, një në tetor dhe një në janar, në të dyja ka qenë temë tarifa. Në të dy takimet e kam mbajtur qëndrimin e njëjtë, por ambasadori Grenell ka mundur t’i paraqesë mesazhet ku unë thënë se e heq tarifën pa reciprocitet.

Natyrisht se s’ka mesazh të tillë. Unë vazhdimisht kam thënë se tarifën duhet ta zëvendësojmë me reciprocitet, asnjëherë s’kam vënë pikë në fjali duke thënë se duhet ta heqim tarifën. Ambasadori Grenell ka mundur ta shohë ndonjë pikë timen si presje. Nëse ka ndonjë politikan që dihet si mendon, jam unë. E dini, presidenti serb Vuçiqi që tha s’kemi trysni nga amerikanët.

Nuk e di si erdhëm në këtë situatë ku Kosova, që ka për kryeministër dikë që ishte në burgjet e Millosheviqit ka pakrahasueshëm më shumë trysni sesa Serbia që duket se s’ka trysni fare e e ka për president një që ishte ministër i Millosheviqit. Si erdhëm në këtë situatë?”, tha Kurti në emisionin DESKU të KTV-së.

Ai tha se trajtimi ndaj Kosovës ka qenë jofer nga bashkësia ndërkombëtare.

“Nga gushti i vitit të kaluar, shtetet e Quintit kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët me këto dy fjali: Kosova të pezullojë taksën, e Serbia të pezullojë fushatën për çnjohje. Kjo e dyta ra, ambasadori Grenell erdhi në Prishtinë e shkoi në Beograd, dhe nuk e di bash në cilën ditë ra kjo fjalia e dytë, por unë besoj që pasi ne po e heqim nesër tarifën e ta vendosim reciprocitetin, shpresoj që faktori ndërkombëtar t’i thonë Serbisë e të thonë publikisht se edhe ajo e po e heq fushatën kundër Kosovës”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Kurti tha se takimet me ambasadorin amerikan i ka pasur të rregullta, madje tha se një të tillë e ka pasur edhe sot.

“Sot jam takuar me Kosnettin dhe kemi biseduar për fushatën tonë kundër koronavirusit, dhe i kam treguar se do ta propozoj në Qeveri propozim-vendimin për masat e reciprocitetit për zëvendësim të tarifës. Kemi diskutuar edhe për pakon fiskale dhe për nevojën për likuididet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Unë pajtohem aq shumë me secilin zyrtar amerikan, por s’do të thotë që pajtohem me gjithçka. Nuk është faji im që ajo për të cilën s’po pajtohemi, ajo po bëhet aq e madhe. Kjo fushata për të thënë antiamerikanizmin tim, është banale. Keni vërejtur se më quajnë marksist e bolshevist. Por këta janë duke i fyer amerikanët, sepse dëshirojnë të tingëllojnë në veshin e tyre me fjali shumë të thjeshta duke i konsideruar amerikanët aspak të sofistikuar”, theksoi Kurti.

Ai tha se Kosovës i nevojiten edhe SHBA-ja edhe BE-ja dhe shtoi se s’ka zëvendësim për to. “Pa SHBA-në s’mund të kemi mbrojtje nga Rusia”.

Tutje, Kurti tha se Gjermania dhe Franca e kanë mbështetur qeverinë e tij.

“Gjermania dhe Franca e kanë mbështetur qeverinë tonë. Këto si dy vende kryesore të BE-së, pas Brexitit, duhet të përshëndesim edhe mbështetjen e MPJ-së së Spanjës, e cila, në vend që të shihet si pozitive në Kosovë, filluan të thonë se Borrelli e Lajçaku janë me Albinin, e ne jemi me Grenellin. Këto janë lojëra fëmijësh, më shumë janë sulme që e sulmojnë dëgjimin e njeriut e të të menduarit, sesa që na shërbejnë për të ecur përpara. BE-ja e ka krizën e vet, por do të kalojë pandemia, e neve na nevojitet të ecim sa më shpejt në drejtim të Brukselit, por duhet ta rregullojmë vendin tonë. Duke qenë se BE i merr vendimet me konsensus, me siguri se kjo e bën shumë frustruese situatën. Të gjithë ne jemi shumë të zhgënjyer për vonesën e liberalizimit. S’e di a do të mbahet samiti i Zagrebit. Sido që të jetë, nga BE kemi çfarë të përfitojmë. Ndihma e fundit 5 milionëshe i parapriu ndihmës prej 75 milionë eurove për filtër të Kosovës B, që është keq që u përmend pak. BE-ja është ndihmës i madh i shtetit tonë, ani pse pesë shtete s’na e njohin pavarësinë. BE-ja ka nevojë për reformë të dyfishtë, edhe brenda vetes, e edhe duke u zgjeruar. Kemi Holandën dhe Danimarkën, dy vende shumë skeptike, dhe nuk besoj që do të mund të bëjmë punë të madhe me ta, sa do të mundej Gjermania”, potencoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

SHPËRNDAJE