Kurti: Më herët kam menduar të largohem nga politika, tashmë është vonë

Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti është një nga të ftuarit e shumtë të Blendi Fevziut në shënimin e 20 vjetorit të emisionit “Opinion”.

Fevziu e ka ngacmuar Kurtin duke i thënë se ai nuk e donte asnjëherë zyrën dhe tani në një mënyrë është pjesë e saj.

“Kur dola nga burgu, kisha dëshirë të rrija në natyrë e jo në hapësira të ngujuara. Tash edhe vetë jam deri diku pjesë e kësaj, por pushtetin e mendoj me një distancë të brendshme kritike dhe kjo më bën ajo që jam”.

Kurti poashtu ka thënë se “Vetëvendosja është radikale, por për nga tema, dhe jo nga karakteri”.

“Kur je opozitë, temën ta cakton Qeveria, neve na sillte temat e tilla Qeveria”.

Ai poashtu ka treguar se e do shumë kryeqytetin shqiptar dhe e viziton shumë shpesh.

“Vij shumë shpesh në Tiranë, së paku një herë në muaj. Kam shumë miq këtu dhe kemi shumë aktivistë që punojnë në Kosovë, na ndihmojnë edhe që këndej në Kosovë”.

Kurti është shprehur poashtu se është optimist që qeverisja e Vetëvendosjes do të jetë ndryshe.

“Jam optimist që në qeverisje do të jemi ndryshe. Të tjerët edhe para se ta marrin pushtetin nuk kanë qenë si ne”.

“Kemi arritur si parti opozitare ta ridefinojmë opozitarizmin, do ta ridefinojmë edhe qeverisjen”.

Por a ka menduar ai ndonjëherë të largohet nga politika?

“Më herët po, tashmë është shumë vonë për vendime dhe veprime të tilla”.

Kurti është shprehur se kur e sheh emisionin “Opinion” nervozohet.

“Nuk bëhet një muaj pa e parë emisionin, ka një identitet të veten, Shpesh herë nervozohem, më shumë nervozohem si teleshikues se sa si i ftuar”.

“Vlera juaj është nënpyetja agresive dhe kjo ju ka bërë mirë”.

SHPËRNDAJE