Kurti: Me Qeverinë e VV-së, prokuroria nuk do t’ia ndriçojë më rrugën hajnave

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, të enjten ka mbajtur tubim elektoral në Komunën e Drenasit, me ç’rast u zotua se nën qeverisjen e saj prokuroria do të veprojë kundër të kriminalizuarve dhe të korruptuarave deri në konfiskimin e pasurisë së tyre të paligjshme.

Ai ka shprehur besimin se në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit do të fitojë Vetëvendosje, ndërsa për koalicionin PDK-AAK-Nisma ka thënë se japin premtime të rreme.

“Ta keni parasysh se ata premtojnë rrejshëm për dy arsye. E para nuk e kanë gënjeshtrën për herë të parë dhe nuk mund ta numërojnë dot sa herë kanë gënjyer. Me Qeverinë e Vetëvendosjes nuk do t’i frikësohet qytetari pushtetit, por pushtit qytetarëve dhe nuk do t’i frikësohet prokurori, policia, kriminalëve. Në garën mes Vetëvendosjes e PDK-së në Drenas e në Drenicë e në secilën komunë të saj do të fitojë Vetëvendosje e jo PDK-ja. Njerëzit që na kanë ardhur këto javë të fundit prej PDK-së na kanë thënë vijmë me kushtin që nuk bëni koalicione me PDK-në pas zgjedhjeve. Po edhe njerëzit që na kanë ardhur prej LDK-së na kanë thënë po vijmë me kusht që nuk bëni me LDK-në koalicion pas zgjedhjeve. Si do që të jetë, më 11 qershor populli voton masivisht për ndryshimin. Ne dalim të parët më 12 qershor. Jemi duke festuar e më 13 qershor merret vesh përfundimisht se çka ka mbetur nga këto dy koa licione që e kanë lodhur popullin e që ne do t’i lodhim në zgjedhjet e së dielës. Shumë prokurorë në këto vitet e pasluftës i kanë ndjekur hajnat me drita të gjata. Me Qeverinë e VV-së, prokuroria nuk do t’ia ndriçojë më rrugën hajnave. Prokuroria do të veprojë kundër të kriminalizuarve, të korruptuarave deri në konfiskimin e pasurisë së tyre të paligjshme”, tha Kurti.

Kandidati për deputet, Rexhep Selimi, tha se qytetarët kanë vendosur tashmë se kë do të votojnë, teksa ka ftuar Albin Kurtin të bëhet gati, pasi po e presin të gjithë në ballë të qeverisë.

“Drenica nuk do të pranojë të udhëhiqet nga frikacakët, sepse Drenica është trimëreshë, Drenica nuk do të pranojnë të udhëhiqet nga të pandershmit, sepse Drenica është e ndershme. E kush janë këta frikacakë, janë ato subjekte politike të cilat nuk e patën guximin t’i dalin përballë VV-së të vetme. Kush janë këta kandidatë, janë ata të cilët nuk e patën guximin t’i dalin përballë Albin Kurtit. Drenica nuk është bankomati i tyre sa herë t’u teret fyti. Pushteti i kaluar, që kurrë mos ardhtë më, është përgjegjës edhe para Drenicës, edhe para UÇK-së, sepse luftëtarët më të mëdhenjtë të Drenicës ia dërgoi në burg. Është përgjegjëse edhe para UÇK-së, sepse UÇK-së ia krijoi Gjykatën Speciale, për ta dënuar para gjykatores e jo për t’i dërguar hajnat para gjykatësve e prokurorëve. Prandaj, o me të kaluarën e pandershme, o me Albin Kurtin e përparuar. Prandaj le ta fillojmë këtu, t’i biem gjarprit këtu në kokë, që gjarpri të mos ketë më vend në folenë e shqiponjave”, tha Selimi.

Kandidati për deputet, Xhavit Drenori, tha se habitet se si në Drenicën e shkrumbuar nga Serbia kanë fytyrë të vijnë të kërkojnë votë edhe pas 18 vitesh plaçkitjeje.

“Edhe 18 vite pas luftës ne ende flasim për ndërtim të shtetit, luftim të korrupsionit, zhvillime ekonomik, luftime të varfërisë. Qeveritë e kaluara kanë vend numëruar duke shkatërruar synimin ynë për zhvillim e përparim pas luftës. Vendi ynë gjendet në një udhëkryq dhe në vende të Zvicrës së Ballkanit u krijua një Afganistan i rajonit, një shtet i ngulfatur nga krimi, korrupsioni. Cila është përgjigja në këtë moment prej nesh nëse më ke mashtruar një herë ti je fajtori, nëse ta jap shansin të më mashtroj përsëri atëherë fajtor jam unë. Prandaj jo votë për mashtrim të serishëm, jo votë për Drenas për mashtruesit”, ka thënë Drenori.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas njëherë edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, Shemsi Elezi, tha se që 18 vjet pasluftës është duke u keqpërdorur vullneti i qytetarëve të Drenasit.

“Aktiviteti i të rinjve dhe të rejave të Drenasit e ka vënë në panik koalicionin e krimit, të cilit po i bëjnë orvatjet e tyre të fundit për të mbajtur pushtetin politik që iu ka sjellë pasuri të paligjshme. Dua t’ju them se klani pronto nuk e ka zanafillën nga Drenica, por nga individë të cilët që 18 vite e kanë keqpërdor vullnetin e qytetarëve të Drenasit, duke ua marrë votat e bashkë me to edhe perspektivën e tyre. Drenasi me qytetarët e tij e ka drejtuar mendjen, sytë dhe trupin drejt Vetëvendosjes. Drenasi nuk e përkrah klanin pronto e tash së fundmi as koalicionin e panikut”, tha Elezaj.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 11 qershorit garon si subjekt i vetëm politik.