Kurti nesër s’shkon në takim, VV merr këtë vendim ndaj presidentit Thaçi

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV’së, Arbërie Nagavci ka dërguar sot në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për vlerësim e kushtetueshmerisë ndaj thirrjes së presidentit të Kosovës për moszbatimin e vendimit të qeverisë lidhur me masat emergjente për koronavirusin.

Nagavci ka thënë se nuk është hera e parë që Thaçi bën thirrje të tilla që bien ndesh me kushtetutën.

“Sapo e dërguam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimit të presidentit të Kosovës, kur bëri thirrje për rezistencë qytetare, respektivisht për mos zbatim të vendimit të qeverisë në lidhje me masat emergjente të adresuara për menaxhimin e situatës me korona.

Ndonëse nuk është hera e parë që presidenti bën thirrje të tilla, nxit për mosrespektim të Kushtetutës dhe të ligjeve, kësaj radhe ai bëri një shkelje seriozë duke nxitur qytetarët për mos respektimin e aktit më të lartë juridik, andaj edhe është edhe detyrë dhe obligim i joni që si deputetë të Kuvendit që këtë ta adresojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Nagavci ka bërë të ditur se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe shefi i qeverisë në detyrë, Albin Kurti nuk do t’i shkojë nesër për takim presidentit të vendit, Hashim Thaçit. Ajo thotë se tash nuk është koha e takimeve.

“Tani nuk është koha e takimeve, është koha që ne të jemi maksimalisht të fokusuar në respektimin e vendimeve të qeverisë dhe të ekspertëve shëndetësore duke mbajtur distancë. Kjo do të thotë se presidenti ka obligim të respektojë kushtetutën që në raste të tilla të shpërndahet kuvendi, kështu që në këto ditë është e rëndësishme që qeveria të vazhdojë punën, ndërkaq kurdo që të tejkalohen kushtet të shpallë zgjedhjet”, ka deklaruar ajo./GazetaExpress/

SHPËRNDAJE