Kurti takon Apostolovën, kërkon nga BE ‘mini-Marshall plani’ të saj për Ballkanin Perëndimor

Dje gjatë ditës kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, me anëtaret e Kryesisë Arbërie Nagavci e Fitore Pacolli, kanë zhvilluar takim me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova.

Siç njofton sot përmes një kumtese për media Lëvizja Vetëvendosje, tema të diskutimit kanë qenë zgjedhjet e parakohshme, e ndërsa kryetari i LVV-së, ka përmendur edhe zhvillimin ekonomik e social, sundimin e ligjit, zbatimin e MSA-së dhe dialogun me Serbinë.

Në njoftim thuhet se Apostolova uroi Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi.

“Ajo tha se me përjashtim të pjesës veriore të vendit, ku u raportua se pati presion ndaj serbëve lokal, gjithçka duket se shkoi në mënyrë të drejtë dhe të rregullt.

Tani, është e rëndësishme që pas certifikimit të rezultateve të formohen institucionet dhe qeveria e re sa më parë në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe alokomit të fondeve që Bashkimi Evropian i ndan për zhvillimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, si në fushën drejtësisë, arsimit, sigurisë dhe mjedisit”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se Kurti e falënderoi Apostolovën për vizitën dhe gjithashtu shprehi shqetësimin me procesin zgjedhor në veri të vendit.

“Nevojitet adresimi i shkeljeve dhe parregullsive atje si dhe fillimi i dialogut për zhvillim me serbët lokal. Kryetari Kurti përmendi nevojën e një mini-Marshall plani të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sidomos për bashkimin dhe zhvillimin e qyteteve të ndara, i cili do të mundësonte progres shoqëror dhe hov drejt integrimeve evropiane”, citohet të ketë thënë Kurti.

Kurti, thuhet tutje, po ashtu tregoi se e ka mirëpritur vlerësimin dhe renditjen përkatëse të çështjeve të Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian,Federica Mogherini dhe të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, për zgjedhjet e 6 tetorit.

Mogherini dhe Hahn theksuan rëndësinë që qeveria e re të fillojë sa më parë me masa që ndikojnë në: 1) zhvillimin ekonomik dhe social, 2) sundimin e ligjit, 3) zbatimin e MSA-së dhe 4) çështjen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Në fund të takimit, palët u dakorduan për komunikim të rregullt e bashkëpunim të mëtejmë”, përfundon njoftimi.

SHPËRNDAJE