Kush është avokati që po tenton ta mundësojë lirimin e Nasim Haradinajt nga paraburgimi?

Bas Martens u paraqit me disa kërkesa e jo pak vërejtje në seancën e djeshme gjyqësore në Tribunalin Special në Hagë. Avokati holandez, që dje ishte mbrojtës kujdestar i Nasim Haradinajt, po tenton që nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së t’ia mundësojë lirimin nga paraburgimi, përmes disa mocioneve të parashtruara në Dhomat e Specializuara, shkruan Gazeta Express.

Martens i ka kërkuar gjykatësit Nicolas Guillou që t’i rishikojë akuzat kundër klientit të tij dhe ta lirojë atë nga paraburgimi. Ai tha se Nasim Haradinaj nuk është i akuzuar për krime lufte dhe se Specialja nuk ka juridiksion për t’u marrë me këto akuza të cilat iu lexuan atij gjatë seancës gjyqësore.

“Dua nga ju z. gjykatës që të vendosni që akuzat nuk janë brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, t’i hidhni poshtë akuzat kundër tij, ta lironi menjëherë nga paraburgimi z.Haradinaj me kushte të cilat do të përcaktohen nga ju”, tha avokati Martens në seancën e djeshme gjyqësore.