Kush është Drejtori i ri i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj?

Nënkoloneli Rashit Qalaj, është emëruar sot Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Emërimi i tij pasoi detyrën e re që i ishte besuar ish-drejtorit të këtij institucioni, Shpend Maxhuni në postin e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Kosovës.

Në pyetjen e Indeksonline se për çka zotohet në krye të Policisë së Kosovës, Qalaj është përgjigjur shkurt: Jam zotuar se dita e sotme, do të jetë ditë më e mirë se dje, në shërbim të sigurisë së qytetarëve.

“Përkushtimi jetësor për rend dhe ligj, siguri dhe qetësi, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, është tipar që përkufizon punën time”, ka thënë Qalaj, shefi i ri i Policisë së Kosovës, i cili tashmë, është emëruar nga Kryeministri Haradinaj.

Në krye të Drejtorisë së Operacioneve, Qalaj kishte për detyrë ofrimin legjitim dhe profesional të shërbimeve ndaj qytetarëve, ruajtjen dhe ofrimin e sigurisë.

Në krye të kësaj drejtorie, ai u angazhua duke kontribuar fuqishëm në funksionalizimin e njësive të rendit për veprim në tërë vendin, në avancimin e Policisë në Bashkësi dhe fuqizimin e partneritetit me komunitetin dhe institucionet relevante të sigurisë.

“Funksionimi i plotë i Policisë në tërë vendin, ishte sfidë për mua të cilën mendoi që e kam realizuar me sukses të plotë, në bashkëpunim edhe me faktorët tjerë vendimmarrës. Ndërsa kam punuar shumë edhe në prezantimin e Policisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Po ashtu, në definimin e çështjeve të ndjeshme në Bruksel, Qalaj ka bërë paraqitjen mbresëlënëse për orientimet dhe zbatimin e vendimmarrjes, ngase, propozimet dhe vizioni i tij, kishin argumentimin më të plotë dhe më profesional për zbatim në terren por edhe për të ardhmen e Policisë së Kosovës.

Gjatë shërbimit në krye të Departamentit, kishte ndërmarrë aktivitete në përputhje të plotë me njohjen dhe zbatimin profesional, etik dhe të ligjshëm i detyrave dhe autorizimeve të policisë në shërbim ndaj qytetarëve, me standardet më të larta.

Qalaj është kujdesur për zbatim të drejt të autorizimeve policore dhe përmbushjen e objektivave strategjike të Policisë si në luftimin e krimit të organizuar, vjedhjeve, thyerjeve e grabitjeve, trafikimin, shantazhin, shpëlarjen e parave të pista dhe fajdet. Ky angazhim i tij konsekuent, e bëri në Policinë e Kosovës shembull të gardianit të ligjit, luftëtarit të pakompromis përball çdo devijimi nga fusha e detyrave të tij.

Ai ishte fort i përkushtuar për respektimin e parimeve të Kodit të Etikës Policore, duke e aftësuar stafin dhe shërbimin me trajnime profesionale, pajisje dhe kompetencë të vlerësuar ndërkomtarisht. Ai me sukses instaloi kapacitetet në përcjelljen dhe kapjen e aktiviteteve kriminale, hetimin dhe dokumentimin e krimit të organizuar, duke mos prekur privatësinë e qytetarëve, të drejtat e tyre apo konfidencën profesionale.

Gjatë detyrës së deritashme, ka identifikuar nevojat për planifikimet e sigurisë, sigurisë publike, luftën e suksesshme kundër elementeve të terrorizmit apo propagandës së tillë, të ndëshkueshme nga ligjet e Republikës së Kosovës.

Në punën e tij, Qalaj është udhëhequr me parimin: Po që se nuk planifikoni, keni planifikuar dështimin! Të tilla planifikime, janë me mijëra, me sukses. Këtë e dëshmojnë edhe segmentet miqësore pranë institucioneve tona të sigurisë.

Ai, do të marrë mbështetjen dhe vlerësimin maksimal, për planifikimin dhe zbatimin e aktiviteteve brenda Drejtorisë që ka udhëhequr, me vlerësimet edhe nga segmentet e sigurisë simotra si dhe shteteve mike, të pranishme në vendin tonë.

Në punën e tij në krye të Drejtorisë, Qalaj ka kontribuar për fuqizimin e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, si fokus dhe kontribut i tij i veçantë në këtë drejtim. Po ashtu, është ithtar i Divizionit të Njësive të Specializuara, nëpërmjet të cilave, kryhen detyra me ndjeshmëri dhe përgjegjësi të madhe.

Drejtoria e Njësive Speciale me njësitet e saja elite, ka dëshmuar përformancë brilante, në situata të cilat ishin plotësisht të reja në përvojën e Policisë së Kosovës. Sipas Qalajt, kjo është drejtori e krenarisë së Policisë së Kosovës.

Me angazhimin e tij, ka kontribuar në sigurinë e personave, objekteve dhe pronës, duke minimizuar dëmet dhe duke evituar rritjen e dëmeve në situata të ndjeshme për vendin dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale.

Divizioni i Komunikacionit Rrugor, përbën e ndjeshëm të angazhimit të tij, ngase, viktimat e çdoditshme, në trafik, janë tregues për përkushtim të shtuar, njëherësh duke u kujdesur për kushtet në pajtim me standardet.

Gjatë shërbimit të deritashëm në krye të Drejtorisë, Qalaj ka qenë i angazhuar në zbatimin efikas të ligjshmërisë, tashmë i rikonfirmuar për punën e suksesshme, në krye të Policisë së Kosovës.

Në pyetjen tonë se për çka zotohet në krye të Policisë së Kosovës, Qalaj është përgjigjur shkurt: Jam zotuar se dita e sotme, do të jetë ditë më e mirë se dje, në shërbim të sigurisë së qytetarëve!

SHPËRNDAJE