Kush është gjyqtari pa shtëpi që u bë milioner me një rrogë

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, autoritetit përgjegjës për kontrollin, ndëshkimin dhe vlerësimin moral të gjyqtarëve, i lënë pas anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe disa prej gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe apelit, sa i përket pasurive të paluajtshme dhe llogarive bankare që posedojnë.

Secili nga anëtarët e KLD, të cilëve u është besuar lufta ndaj korrupsionit në gjykata, posedon disa apartamente, makina dhe llogari të majme bankare.

Njëri prej tyre, në deklaratën fillestare të pasurisë, rezulton pa shtëpi dhe pa asnjë pasuri të paluajtshme, por 13 vjet më vonë, ai konsiderohet si një ndër njerëzit më të pasur të drejtësisë shqiptare. Gjithsesi, pavarësisht dyshimeve për mënyrën e shpejtë të pasurimit, çdo anëtar i KLD ka një shpjegim konkret për pasuritë e deklaruara, por fjala e fundit për ligjshmërinë e pasurive të tyre tashmë i takon organeve të Vetingut, të cilat pritet të veprojnë në fillim të vjeshtës.

Gerd Hoxha blen apartament të ri  
Gerd Hoxha, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njëherësh kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, i cili ka udhëhequr rezistencën e gjyqtarëve kundër Vetingut dhe reformës në drejtësi në tërësi, me anë të disa padive në Gjykatën Kushtetuese, gjatë vitit 2016 ka blerë një apartament. Hoxha deklaron blerjen e një apartamenti në Vlorë, me sipërfaqe 126,5 m2, me vlerë 55 452 euro.

Anëtari i KLD thotë se apartamenti është blerë me kursimet e tij dhe të bashkëshortes. Gjithashtu, Hoxha deklaron edhe marrjen e një kredie 5 000 000 lekë, në 2011 për blerjen e një tjetër apartamenti, ku detyrimi për t’u shlyer është 4 288 786 lekë. Gjatë vitit 2016, Hoxha ka blerë dy makina me vlerë 5 mijë euro dhe 3 056 euro, ndërsa ka shitur një makinë me vlerë 10 500 euro.

Xhezair Zaganjori, anëtar i KLD, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, deklaron gjashtë burime të ardhurash nga punët paralele dhe nga shitja e dy librave. Ndërkaq, kryetari i KLD, Ilir Meta, në cilësinë e Presidentit të Republikës, gjatë vitit 2016, deklaron shitjen e katër apartamente me vlerë mbi 500 mijë euro.

Konkretisht, Meta deklaron shitje apartament banimi, deklaruar më parë, me sipërfaqe 200 m2, në shumën 345 000 euro, shitje apartament banimi me sipërfaqe 104.74 m2, 55.503 euro, shitje apartament banimi me sipërfaqe 166.2 m2, 85.088 euro, shitje apartament banimi me sipërfaqe 108 m2, 57 885 euro dhe likuidim kredie për blerje apartamenti, me vlerë 155 000 euro.

Ndërsa, ish-kreu i KLD, Bujar Nishani, përpos të tjerave, për vitin 2016, deklaron 600 000 lekë të ardhura nga dhënia me qira e një apartamenti në Durrës, 660 000 lekë të ardhura nga dhënia me qira e një dyqani në Durrës dhe një kredi për blerje apartamenti, nga e cila kanë mbetur pa shlyer 3 418 476 lekë.

Gjin Gjoni
Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, në deklaratat e para të pasurisë, në vitet 2003-2004-2005-2006, deklaron vetëm pagën si gjyqtar, një makinë me vlerë modeste dhe të ardhura si ekspert i KE për luftën kundër terrorizmit. Në vitin 2011, pasuria e Gjin Gjonit, shtohet.

Pasuritë e reja, Gjin Gjoni i shpjegon me pozitat e bashkëshortes së tij, Elona Çaushi. Në 2008, Gjin Gjoni blen një dyqan me sipërfaqe 30 m2, me vlerë 55 mijë euro, ndërsa në 2009 deklaron marrjen e një kredie në 2008 me vlerë 90 mijë euro me afat 15 vjet. Në 2011, çifti deklaron shitje apartamenti 180 000 USD, blerje apartamenti 53 200 000 lekë, zgjidhje kontrate porosie për apartament 140 000 euro, qira dyqani 9 000 euro, tërheqje borxhi 56 100 euro, Elona Çaushi pagë 3 816 000 lekë, divident pranë shoqërisë ADFD 17 299 390 lekë dhe disa llogari bankare në vlerat 95 807 lekë, 1 040 USD, 31 euro, 4 773 euro, 248 683 lekë, 187 paund, 4 980 franga zvicerane, 2 000 euro, 0.83 euro, 558 franga zvicerane dhe 2 600 euro.

Në 2014, ata deklarojnë gjendje cash 10 000 euro, të ardhura nga qiraja e një lokali 24 000 euro, një kontratë sipërmarrje 79 000 euro, depozitë të shtuar me 270 495 euro, tërheqja e dividendit në ADFD, 13 000 000 lekë dhe 36 000 000 lekë, paga nga ADFD 8 751 000 lekë. Në 2015, deklarojnë të ardhura nga qiraja 16 mijë euro, depozitë bankare 155 mijë dollarë, llogari bankare, 47 mijë euro, dhënie në formën e obligacioneve 165 mijë euro, dhënie borxhi kompanisë “Albania Duty Free Distribution” 130 mijë euro, llogari bankare 12 mijë euro, gjendje cash 10 mijë euro, tërheqje dividenti 23,525,412 lekë dhe pagën e zonjës Çaushi 10,678,000 lekë. /Shqiptarja.com/