Ky është burri që e pastroi Prishtinën për 40 vite

Sot ka nisur aksioni më i madh global kundër mbeturinave ‘Dita e Pastrimit të Botës’ në më shumë se 160 vende të ndryshme të botës me vullnetarë të shumtë, organizatorë dhe kompani përreth globit që i kanë bashkuar forcat për ta pastruar planetin.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Klan Kosova ka realizuar një intervistë me Hashim Krasniqin që tash e 40 vjet punon në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ‘Pastrimi’.

Intervista është realizuar në lagjen “Fusha e Pajtimit” për të cilën Krasniqi ka thënë se është një zonë që është vështirë të mirëmbahet.

“E kemi bukur vështirë ta mirëmbajmë. Njerëzit hedhin mbeturina vend e pavend dhe nuk kanë kujdes të gjithë. Është vështirë me e mirëmbajt, por disi ia dalim”.

“Kompania ‘Pastrimi’ ka kapacitete të mira dhe ia del që punën ta kryejë me sukses”.

Ai ka thënë se problemi më i madh në këtë lagje mbetet hudhja e materialit ndërtimor.

“Nëse i shoh teksa hedhin material ndërtimor, ju them që nuk bën të hudhet materiali ndërtimor këtu. Disa kanë mirëkuptim dhe kthehen prapa, por disa vazhdojnë të hudhin”.

Krasniqi megjithatë ka thënë se populli është vetëdijësuar dhe tashmë kanë krijuar një kulturë të mirë të pastërtisë dhe hudhjes së mbeturinave ashtu si duhet.

Por, si ishte ta bësh këtë punë 40 vjet më parë – atëherë edhe kur e nisi punën Hashim Krasniqi?

“Atëherë ka qenë shumë e vështirë. Kur kam filluar unë në vitin 1978 nuk ka pasë qese derisa bërrllogu ka qenë i grumbulluar në një lagje ku ne duhej që ta ngarkonim për 2-3 orë fillimisht në traktor që më pas ta hedhim në deponi. Puna ka qenë shumë e rëndë”.

“Ka pasë shumë raste kur kemi punuar në ato kushte, kur kemi shkuar që të hamë mëngjes, por jemi kthyer prapa sepse nuk kemi mundur. Sot është puna më e lehtë pasi i kemi të gjitha mjetet e nevojshme”.

SHPËRNDAJE