Ky është hajni i rrezikshëm që u ekstradua në Kosovë

I dyshuari për disa vjedhje të rënda në Kosovë, Leutrim Latifi, është arrestuar në Mal të Zi dhe tashmë është ekstraduar në Kosovë.

Lajmin për ekstradimin e e Latifit e ka konfirmuar ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Po, është ekstraduar”, ka thënë shkurt Tahiri.

Policia e Kosovës vitin e kaluar pati zbuluar identitetin e tre personave të dyshuar për disa vjedhje, Leutrim Latifi, Kastriot Shala e Ridvan Ademi, ndërsa thoshte se këta persona janë me rrezikshmëri të lartë.

Më 9 maj të këtij viti ishte arrestuar Kastriot Shala në Hajvali derisa gjendej në një veturë të tipit Golf 7, kurse gjatë arrestimit ishte në posedim të një arme të cilën e kishte në veturë. Bashkë me Shalën ishin arrestuar edhe dy persona me të cilët ai ishte bashkë.

Shala, bashkë me Latifin e Ademin, kërkoheshin që nga tetori i vitit të shkuar për disa raste të grabitjeve.

Edhe pse ishin në arrati, Shala bashkë me Leutrim Latifin përmes Facebookut kishin bërë shaka me kërkesën për arrestimin e tyre. Madje kishin pasur edhe video-live nga Spanja, siç thoshin ata.

Policia pati ofruar shpërblim prej 5000 eurosh për ata që ofrojnë ndihmë për vendndodhjen e tre të dyshuarve për grabitje, Kastriot Shala, Leutrim Latifi dhe Ridvan Ademi.

Tre të sipërpërmendurit dyshohet se kanë kryer grabitje të armatosura në banka, kazino e në qendra tregtare në vend. /Ballkani.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE