Ky është i ftuari i dytë që refuzon ftesën e Speciales brenda 24 ore

Vetëm brenda 24 orëve, Gjykata Speciale ka dërguar tre ftesa për intervistim ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku dy nga këta të ftuar kanë refuzuar ftesën me arsyetimin se nuk e njohin një Gjykatë të tillë.

Ish-ushtari i UÇK’së, Faik Zogaj, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ka pranuar një ftesë nga Tribunali i Hagës, në cilësinë e të akuzuarit, ftesë kjo të cilës ka vendosur të mos i përgjigjet.

“Të nderuar familjarë,miq dhe shokë ,dua t’ju informoj që kam pranuar ftesë ne cilesinë e te Akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë, të cilës nuk do i përgjigjem më datë 21.03.2020. Sepse une Personalisht nuk e njof ket Gjykad derisa kijo gjykat ti denon Kriminelet qe me i Vran me te .Dashurit e Mi brenda ne Shtepi
-Në tërë veprimtarinë time jetësore atdhetare asnjëherë nuk jam ndier më i nderuar dhe respektuar se sa kur isha pjesë e UÇK-së!

-Asnjë shkronjë nuk e heq nga e kaluara ime në të gjitha periudhat e veprimtarisë sime!
Lavdi Deshmoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, ka deklaruar Zogaj me anë të një postimi në Facebook.

Ndërkaq, një ftese të tillë nuk do t’i përgjigjet as Fatmir Brajshori i njohur si Tushi, i cili ka njoftuar se nuk ka njohuri nëse është i ftuar në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit, por sidoqoftë ai ka vendosur të mos I përgjigjet kësaj ftese, pasi siç deklaron Brajshori, nuk e njeh Gjykatën Speciale të Hagës.

“Unë e refuzoj ftesën ngaqë s’kam arsye përse t’i përgjigjem nëse gjatë viteve 1998-2000 s’kam jetuar në Kosovë dhe këtë ftesë dërguar personit tim, do të duhej shfrytëzuar organizatat e dala të luftës, që Gjykatën ta shpallë si inekzistente dhe Kuvendi i ri i Kosovës ta shfuqizojë vendimin që kishte marrë aso kohe, ai Kuvendi i turpit”, ka shkruar mes tjerash Brajshori.

Ndërkaq, sot është njoftuar se një ftesë e tretë ka ardhur nga kjo gjykatë. Kjo e fundit është dërguar në drejtim të Afrim Bashës nga Suhareka, për të cilën ka njoftuar kryetari i OVL’së, Hysni Gucati, duke mos dhënë detaje në lidhje me intervistimin e Bashës, se në çfarë cilësie është ftuar nga Specialja.

“Sot morra lajmin që luftëtari i lirisë së UÇK’së z. Afrim Basha nga Suhareka është thirrur nga gjykata speciale , dhe do të dali faqebardhë si të gjithë luftëtarët e drejtë të UÇK’së”, ka shkruar ai.

SHPËRNDAJE