Ky është ‘kosovari’ në Parlamentin e Francës

Në Asamblenë Kombëtare të Francës është pjesë edhe një deputet me nënshtetësi kosovare, i cili ka origjinë koreano-jugore, jeton në Zvicër dhe përfaqëson diasporën franceze në Parlament.

Ai është Joachim Son-Forget, një 35-vjeçar i lindur në Seul, i cili mori nënshtetësinë e Kosovës në muajin qershor të këtij viti. Son-Forget kishte ndihmuar refugjatët kosovarë gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-99 dhe tani shërben edhe si zëvendëspresident i Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë.

Prej dy vitesh, ai shërben si deputet në Asamblenë Kombëtare të Francës.

Son-Forget, që është i njohur si një deputet karizmatik, ushtron profesionin e radiologut dhe detyrat e tij si mbikëqyrës i tezës në Qendrën Spitalore Universitare Vaud, me seli ne Lausanne.

Parlamenti i Francës është legjislaturë dydhomëshe e formuar nga Asambleja kombëtare (Assemblée Nationale) dhe Senati. Deputetët e Asamblesë Kombëtare zgjidhen me votë për një mandat 5 vjeçar.

SHPËRNDAJE