Ky është momenti që nuk do ta harrojnë kurrë dy legjendat e Milanit që janë në Prishtinë (VIDEO)

Gjiganti i futbollit italian dhe evropian, Milan, sonte është mysafir i kampionit të Kosovës, Feronikelit, me të cilin në stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillojë një ndeshje miqësore.

Kuqezinjtë kanë shumë tifozë në Kosovë, një pjesë prej të cilëve edhe për shkak të ngjyrave (kuqezi) të skuadrës, por sigurisht edhe për shkak të emrave të mëdhenj që kanë luajtur e vazhdojnë të luajnë për Milanin.

Duket se vëmendja e tifozëve kosovarë të skuadrës italiane më tepër është përqendruar te legjenda e mbrojtjes “Azurre”, Paolo Maldini, i cili aktualisht është drejtor i skuadrës, por në Prishtinë janë duke qëndruar edhe  futbollistë tjerë, të cilët në të kaluarën kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin italian.

Bëhet fjalë për ish-kapitenin Franco Baresi, i cili një kohë të gjatë ka qenë shtyllë e mbrojtjes së Milanit, por edhe kombëtares italiane, por edhe ish-sulmuesi Daniele Massaro.

Megjithatë, të dy këta ish-futbollistë të shquar, në karrierën e tyre kanë pasur edhe momente që nuk do të donin t’i kujtonin, e padyshim që i tillë është edhe dështimi në gjuajtjen e penalltive, në finalen e Kupës së Botës së vitit 1994, në të cilën Italia u mposht nga Brazili.

Përveç tyre, nga penalltia pati dështuar edhe legjenda tjetër e futbollit italian, Roberto Baggio./Insporti/

SHPËRNDAJE