Ky është prioriteti kryesor i qeverisë ‘Kurti’

ATK-ja dhe Dogana e Kosovës, njëherësh dy institucionet më kontributdhënëse në buxhetin e shtetit, nga qeveria e porsaformuar po synohet të bashkohen në një institucion të vetëm.

Bërja bashkë e tyre është njëra ndër prioritetet në kuadër të zhvillimit ekonomik në planin e harmonizuar nga koalicioni qeverisës.

Dy kontribuuesit më të mëdhenj në thesarin e shtetit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Dogana e Kosovës, pritet të bashkohen nën një ombrellë. Pavarësisht se në këto institucione ende nuk kanë arritur shkresa zyrtare lidhur me këtë proces, një gjë e tillë parashihet edhe në planin e harmonizuar për zhvillimin ekonomik nga koalicioni qeverisës i sapoformuar.

Ishte kryeministri Albin Kurti, i cili posa u zgjodh në krye të ekzekutivit gjatë shpalosjes së prioriteteve të Qeverisë para kuvendarëve ndër të tjera apostrofoi bashkimin e ATK-së me Doganën në një institucion të vetëm.

Sipas njohësve të rrethanave, për këtë proces duhen analiza të mirëfillta, pasi e tërë rrjedhoja varet edhe nga funksionimi i administratës, si dhe nga zhvillimi ekonomik i vendit.

Megjithatë, ata kanë vlerësuar se dy institucionet mund të funksionojnë së bashku pa asnjë problem, edhe pse po ata shprehen skeptikë që procesi mund të marrë rrjedhë të paparashikueshme.

SHPËRNDAJE