Ky është propozimi zyrtar i Serbisë për ndarjen e kufirit mes serbëve dhe shqiptarëve

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se propozimi zyrtar i Serbisë, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, është “ndarja e kufirit mes serbëve dhe shqiptarëve”.

Në një takim për të ardhmen e Evropës dhe Ballkanit të mbajtur në Beograd, Daçiq duke iu përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, tha se “nëse kjo ide ndonjëherë do të jetë në tryezë të bisedimeve, atëherë të dyja palët do të deklarohen për të”.

Sipas tij, çështja se ku do të përcaktohej linja e ndarjes së kufirit ende nuk është përcaktuar. Sipas tij, lidhur me këtë çështje, nëse propozimi pranohet, duhet të vendoset në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Çështja e ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është përmendur disa herë edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e quan këtë proces “korrigjim i kufijve”.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk e ka përjashtuar këtë ide si kompromis për të arritur një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.

SHBA-ja ka thënë se do të pranojë çdo marrëveshje për të cilën pajtohen të dyja palët, mirëpo Bashkimi Evropian është i ndarë në këtë ide.

Institucionet e BE-së kanë deklaruar se përkrahin arritjen e marrëveshjes për të cilën pajtohen Prishtina dhe Beogradi, mirëpo Gjermania po e kundërshton ndryshimin e kufijve si pjesë të marrëveshjes.

Arritjen e shpejt të një marrëveshjeje dhe festimin e saj në Shtëpinë e Bardhë e ka kërkuar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump përmes një letre që iu ka dërguar, kohë më parë, presidentëve, Thaçi dhe Vuçiq.

SHPËRNDAJE