Lajçak: Dialogu solli marrëveshje të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë

Diplomati sllovak Miroslav Lajçak, i cili është emisar special i BE-së për dialogun thotë se gjatë procesit të dialogut janë arritur marrëveshje të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë.

“10 vjet pasi palët u ulën për herë të parë në Bruksel, dialogu solli marrëveshje të rëndësishme. Ata bënë një ndryshim real për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për aspiratat evropiane të një rajoni të tërë”, ka shkruar diplomati sllovak në Twitter.

Deri te fillimi i bisedimeve erdhi pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën nga 27 vendet e atëhershme të BE-së, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

Në një gjë të tillë kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 2010, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Dialogun teknik në vitin 2011 e ka udhëhequr Qeveria e Kosovës, dhe në krye të ekipit negociator të Kosovës ishte Edita Tahiri.

Edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike, të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve, në fund 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Negociatat u zhvilluan nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Marrëveshja e parë në kuadër të këtij procesi u arrit ndërmjet dy kryeministrave, në prill 2013. Më vonë, procesi u ngrit në negociata në nivel të presidentëve. Kosovën e përfaqësonte presidenti Hashim Thaçi, ndërsa Serbinë Aleksandar Vuçiq.

Deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik. Marrëveshja e parë më 2011 ishte për regjistrat civil.