Lajm i keq për Thaçin, edhe njëherë e godet rëndë Gjermania

Deputeti i Së Majtës në Bundestagun Gjerman, Stefan Liebich, nuk është për këmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por nëse dy vendet bien dakord, me njëri-tjetrin atëherë ne do ta pranojmë vendimin e tyre.

Ai në një intervistë për Deutche Welle ka thënë se është politikë e gabuar që të krijohen shtete monoetnike.

“Dëgjohet sikur ka logjikë që problemet të zgjidhen me këmbime territoresh. Por kjo është një politikë e gabuar, një politikë që përpiqet të krijojë shtete monoetnike. Nuk më duket e mençur. Më duket më e logjikshme që të punohet për heqjen e kufijve në kuadër të BE-së dhe jo duke krijuar shtete të pastra etnikisht me këmbime territoresh. Një gjë e tillë nuk do të funksionojë”.

I pyetur nëse kufijtë duhet të jenë të paprekshëm, deputeti gjerman ka thënë se ndryshimi i kufijve nuk është tabu, por duhet të ndodhë me dakordim reciprok dhe jo me ndërhyrje të BE’së apo SHBA’së.

“Jo ndryshimi i kufijve nuk është tabu, por duhet të ndodhë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në dakordim reciprok dhe jo me ndërhyrjen as të BE-së dhe as të SHBA-ve. Por problemet nuk zgjidhen duke krijuar shtete të pastra etnikisht. Aty ku çështjet kufitare janë ende të hapura, ato duhet të zgjidhen. Ishte gabim që u pranuan anëtarë të rinj në BE pa zgjidhur më parë çështjet ndërkufitare. Kjo nuk duhej të ndodhte në të ardhmen, por unë besoj se perspektiva në të vërtetë duhej të ishte që, në një konstrukt të përbashkët, pra, në atë të Bashkimit Europian, kufijtë të bëheshin të tepërt”.

Ndërsa, në atë se nëse Kosova dhe Serbia do të bien dakord për t’i ndryshuar kufijtë, deputeti gjerman ka thënë se këto dy shtete janë sovrane, dhe askush nuk mund t’i ndalojë që të vendosin të pajtohen t’i ndryshojnë kufijtë mes vete.

“Ne nuk jemi fuqi koloniale. Janë shtete sovrane dhe mund të vendosin vetë, nëse duan ta bëjnë, ne duhet ta pranojmë. Edhe më parë ka pasur raste të tilla, si për shembull kur Çekosllovakia u bë Çeki dhe Sllovaki, para pak kohësh u krijua Sudani i Jugut. Gjëra të tilla janë të mundshme, juridikisht korrekte dhe ne duhet t‘i pranojmë. Por unë personalisht mendoj se këto nuk i zgjidhin konfliktet e brendshme të secilit vend”.

Ndërsa ai ka kritikuar politikën gjermane në Ballkan, duke thënë se në të kaluarën pikërisht Gjermania ka qenë ajo që përkrahur shtetet monoetnike në ish’Jugosllavi.

“Mendoj se tani po paguhet llogaria për gabimet e së kaluarës. Kur po shpërbëhej ish-Jugosllavia, qeveria gjermane ishte nga të parat që përkrahu shtetet monoetnike. Tani kjo politikë po hakmerret, sepse tani nuk mund të thuash: mjaft me kaq, tani pajtohuni. Por kjo është çorba e prishur e së kaluarës”.

Sa i përket anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe mundësinë që ato të anëtarësohen të gjitha në paketë, deputeti gjerman e ka mohuar këtë mundësi, duke thënë se varet nga plotësimi i kushteve që nuk është e as pritet të jetë i ngjashëm për secilin shtet.

“Për momentin është shumë e vështirë të flitet për një raund të ri zgjerimi të BE-së. Dhe kjo nuk ka aq të bëjë aq me vetë vendet: Ne duhet të sqarojmë më parë konfliktet e shumta të brendshme. E kam të vëshitrë t’u shpjegoj zgjedhëseve dhe zgjedhësve të mi se përse Serbia duhet të bëhet anëtare e BE-së. Megjithatë nuk duhet hequr dorë. Bashkimi Europian duhet të zgjidhë problemet e brendshme dhe të forcohet dhe paralelisht duhen vazhduar përpjekjet për zgjidhjen e problemeve të atjeshme. E këtu bën pjesë edhe sqarimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Pra, në planin afatgjatë heqja e kufijve në kuadër të BE-së është alternativa më e mirë”.

“Është shumë jorealist. Këto vende kanë bërë përparime të ndryshme. Nëse në fund të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishin në BE, kjo do të ishte një zgjidhje e mirë. Por kjo duhet parë për secilin vend më vete”. /DW

SHPËRNDAJE