Lajm me rëndësi për blerësit kosovarë të veturave

Ligji për Importin e Veturave të Vjetra, i cili hyri në fuqi në janarin e këtij viti, ka ulur përgjysmë importin e veturave.

Qytetarët e Kosovës nuk po munden të importojnë vetura më të vjetra se 10 vjet derisa iniciativa për heqjen e kufizimit të importit të automjeteve të marrë “dritën jeshile” nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kosovarët nuk po munden të importojnë vetura më të vjetra se 10 vjet pas shtrëngesave ligjore. Numri i importit të veturave nga vendet perëndimore këtë vit është ulur dukshëm, duke e krahasuar me vitin paraprak, kur ata kanë mundur lehtësisht të regjistrojnë veturat e vjetra me targa kosovare.

Duke u bazuar në shifrat zyrtare të Doganës së Kosovës për importin e veturave, të cilat i ka siguruar gazeta “Zëri”, 9 mijë e 438 vetura më pak janë importuar për 8 muajt e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Derisa për 8 muajt e parë të vitit që lamë pas sasia e veturave të importuara ka arritur në 20 mijë e 177, për periudhën e njëjtë të këtij viti ky numër ka zbritur në 10 mijë e 739. Të hyrat e përgjithshme dhe përfitimet e Doganës janë gjeneruar më mirë gjatë vitit të shkuar. Baza Doganore ka arritur vlerën e 94 milionë e 424 mijë e 377 euro, Dogana ka arkëtuar 8 milionë e 942 mijë e 750 euro, akciza 16 milionë e 887 mijë euro, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) 20 milionë e 913 mijë e 538 euro. Totali i përfitimeve ka arritur në 46 milionë e 743 mijë e 228 euro.

Mirëpo të dhëna krejtësisht ndryshe janë regjistruar në statistikat zyrtare të Doganës për pjesën e parë të vitit 2018, ku janë importuar vetëm 10 mijë e 739 euro, baza doganore 85 milionë e 579 mijë e 244 euro, dogana ka arkëtuar 8 milionë e 145 mijë e 870 euro, akciza 5 milionë e 361 mijë e 300 euro, (TVSH) 17 milionë e 369 mijë e 858 euro, ndërsa totali kap shifrën e 30 milionë e 877 mijë e 28 eurove.

SHPËRNDAJE