LAJMI I FUNDIT: LDK-ja s’lëshon pe nga pozita e kryeparlamentarit, refuzohet oferta e VV-së

Burime brenda LDK-së kanë konfirmuar për Koha.net se takimi mes kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti, do të mbahet pasdite.

Po ashtu ky burim ka thënë se LDK-ja nuk do të lëshojë pe nga pozita e kryeparlamentarit.

“Po, takimi do të ndodhë sot pasdite. LDK-ja ka qëndrimin që nuk lëshon pe nga pozita e kryeparlamentarit”, ka thënë ky burim.

Ndryshe, Gazeta Blic ka raportuar për ofertën e fundit që VV i kishte bërë LDK-së.

Sipas kësaj oferte, Vetëvendosje nga 12 ministri sa fillimisht kishte premtuar se do t’i ketë kabineti qeveritar, do të rritet edhe për 3.

”Propozimi i fundit i VV-së për LDK-në parasheh që Qeveria Kurti t’i ketë 15 ministri. 7 do t’i takojnë LDK-së, 5 Vetëvendosjes dhe 3 minoriteteve”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Dje Gazeta Blic ka raportuar se Vetëvendosje e ka rritur ofertën me një ministri shtesë në kompensim të postit të kryetarit të Kuvendit.

Siç edhe dihet, pas zgjedhjes së Konjufcës në krye të Kuvendit, Vetëvendosje fillimisht i kishte ofruar LDK-së një ministri shtesë në kompensim të kryetarit të Kuvendit. Mirëpo, të premten kjo ofertë e VV-së është rritur edhe për një ministri shtesë.

LDK-ja në ofertën e fundit publike i kërkoi VV-së ta lëshojë postin e kryeparlamentarit dhe kjo pozitë t’i takojë LDK-së deri në momentin e votimit të presidentit të ri.

Pasi të marrë presidentin, LDK-ja ka thënë se do të kthente postin e kryeparlamentarit te VV-ja. Glauk Konjufca i VV-së është kryeparlamentar që nga 26 dhjetori.

Ai u votua edhe nga deputetë të LDK-së në seancën konstituive, edhe pse partitë kishin shkuar pa marrëveshje paraprake.

SHPËRNDAJE