LDK del me propozim befasues për dalje nga kriza

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se alternativa më e qëndrueshme për të zgjidhur ngërçin politik janë zgjedhjet e reja nacionale.

Në një prononcim për Portalin 2LONLINE, është shprehur hapur se nuk po sheh zgjidhje të qëndrueshme që do të ofronte njëherë e mirë zgjidhje por edhe stabilitet, prandaj ai e sheh mundësinë e daljes nga kjo situatë, përmes zgjedhjeve të reja nacionale.

“Opsioni i zgjedhjeve të reja është opsioni më i qëndrueshëm për mua” , ka thënë Haziri.

Të mërkurën, partitë politike do të mblidhen në një tryezë për konsultim rreth vazhdimit të seancës konstituive e cila vazhdon të mbahet peng i mos pajtimeve ndërmjet subjekteve politike.

Vazhdimi i kësaj seance do të mundësonte procedimin më tutje të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, rrjedhimisht do t’i hapte rrugë edhe caktimit të mandatarit për të qeverisur  me vendin.

SHPËRNDAJE