Lekaj flet për përplasjen Haradinaj- Thaçi

Për ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, përplasja në mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk janë përplasje.

Madje, ai teksa ka folur për Gazetën Blic, ka thënë se në këtë rast kemi të bëjmë me mendime të ndryshme në mes presidentit dhe kryeministrit, dhe se nuk duhet të shihen asnjëherë si përplasje.

Lekaj thotë se mendimet e ndryshme për një çështje të caktuara I shërbejnë demokracisë së Kosovës.
“Sa i përket mendimeve ndryshe në mes Haradinajt dhe Thacit mendoj që janë kompetenca të ndara. Zotëri Thaçi i ka përgjegjësitë e veta shtetërore që ia jep Kushtetuta dhe zotëri Haradinaj ka kompetenca ekzekutive, që prapë bazohen në Kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës. Ajo që mund të them është që mendimet ndryshe të liderëve ndikojnë në shumë në demokracinë e një vendi. Unë nuk shoh ndonjë përplasje të madhe. Unë mendoj që zotëri Haradinaj ka të drejtë që e mbron integritetin e Kosovës. Kurse, presidenti Thaçi po kërkon bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës. Kështu që çfarëdo marrëveshje që do të arrihet, do të kthehet në Kuvend dhe për atë marrëveshje do të vendosë Kuvendi. Prandaj, po mendoj që nuk ka përplasje në mes tyre dhe që punët janë duke shkuar mirë”, ka thënë Lekaj për Gazetën Blic.

Lekaj ka shtuar se pret që më në fund Kosova dhe Serbia do ta nënshkruajnë një marrëveshje, sipas tij historike, dhe se siç ka thënë ai do të jetë shans i madh për integrimin e vendit në organizata ndërkombëtare.

Ai iu bëri thirrje politikanëve opozitarë që të bashkohen në dialogun me Serbinë.

“Kryeministri Haradinaj ka një mendim të qartë që çdo shkëmbim të territorit është I dëmshëm për Kosovës. Kurse, presidenti Thaci ka një mendim tjetër, dhe që synimi i tij është shkëmbimi I territoreve. Prandaj, në këtë situatë duhet që të bëhen së bashku pozitë dhe opozitë dhe ti lënë inatet politike, që njëherë e përgjithmonë ta kemi një marrëveshje historike, që Kosovës tu hapen rrugët historike për anëtarësim në instanca ndërkombëtare. Unë mendoj që do të kemi një marrëveshje historike në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lekaj.