Letra e Trumpit për Thaçin e Vuçiqin u shkrua në Prishtinë dhe Beograd

Presidenti Trump vitin e kaluar u shkroi letra presidentëve Thaçi – Vuçiq, për t’i inkurajuar që të arrijnë marrëveshjen.

Dhe kjo u përdor, veçmas nga Thaçi si pretekst që të arrihet sa më shpejtë zgjidhja, edhe për faktin se po insiston Amerika.

Por njohësi i çështjes së Ballkanit dhe diplomati shumëvjeçar amerikan, Daniel Serwer, thotë se letra të cilën e nënshkroi Trumpi u shkrua në Prishtinë dhe Beograd. Thaçi e Vuçiq e donin premtimin prej Trumpit se marrëveshjen do ta nënshkruajnë në “Rose Garden” në Washington.

Ai është skeptik se marrëveshje do të arrihet së shpejti. Në vend të një marrëveshje gjithëpërfshirës, ai ka propozuar një mini-paketë të marrëveshjes, e cila do t’i adresonte problemet aktuale.

“Unë nuk mendoj se duhet nxituar të shkohet me marrëveshje, e cila vetëm Serbisë ia mundëson afrimin drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ai në një intervistë për Kohën Ditore.

Nëse një mini-paketë marrëveshje është e mundur, sipas Serwer, ajo do të nënkuptonte – heqjen e vizave për Kosovën, dhënien fund bllokadës që Serbia ia bënë Kosovës sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, si dhe suspendimin e taksës ndaj mallrave serbe.

“Po ashtu Beogradi dhe Prishtina të heqin dorë përfundimisht nga shkëmbimi i territoreve”, ka shtuar Serwer.

SHPËRNDAJE