Lista Serbe dënohet me 6 mijë euro

Gjoba e parë prej 2 mijë e 100 euro nga PZAP ka ardhur për shkak se pak ditë para zgjedhjeve, përkatësisht me 16 maj, në disa hapësira publike në pjesën e qendrës së qytetit të Mitrovicës së Veriut, gjatë monitorimit kanë vërejtur pllakata në emër të subjektit politik Lista Serbe.

Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme përcakton “Veprimet e ndaluara nga ana e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore që ndalon vendosjen e pllakatave, posterave dhe njoftimeve në apo mbi rrugë publike”.

Duke qenë se fotografia e Goran Rakiqit është vendosur në shtylla elektrike e rrugë publike, kjo paraqet shkelje të LZP-së. Për këto shkelje ligjore, kjo parti nuk është përgjigjur.

“PZAP-i njoftoi subjektin politik Lista Serbe për ankesën e parashtruar dhe ka kërkuar që të përgjigjet deri me datë 18.05.2019, në ora 16:00, mirëpo subjekti politik në fjalë nuk ofroi ndonjë përgjigje lidhur me këtë”, thuhet në këtë vendim.

Dënimi tjetër prej 2 mijë e 50 euro për Listën Serbe është marrë për shkak se gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore është vërejtur parregullsi, ku në Zubin Potok, magjistralja për Zupq, janë vendosur pllaka në emër kandidatëve të kësaj partie nëpër shtylla elektrike, veprim ky i ndaluar me ligj.

Ndërsa, dënimi i tretë për këtë parti është shuma 2 mijë euro, vendim i marrë nga PZAP.

E arsyeja është e ngjashme me ankesat e tjera, për vendosje të fotografisë dhe emrit të kandidatit nëpër hapësirë publike, si në shtylla të ndriçimit publik.

“Me datën 17, PZAP ka pranuar një ankesë nga IDK në Prishtinë, me të cilën pretendohet se me datë 16.05.2019, gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të disa komunave të Kosovës, kanë vërejtur një parregullsi të cilën e ka evidentuar edhe me fotografi. Sipas parashtruesit të ankesës, në rrugët Knjaza Milosa, Lole Ribara, Krajla Petra, në pjesën e qendrës së qytetit të Mitrovicës se Veriut, monitoruesi i tyre ka hasur në pllakat me emër të subjektit politik Lista Serbe, të ngjitur në hapësira publike edhe atë në shtyllat e ndriçimit publik”, thuhet në arsyetimin e PZAP-it.

Ndryshe, të dielën u mbajtën zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës të cilat kaluan pa ndonjë incident.

Në të gjitha këto komuna fitues dolën kandidatët e Listës Serbe. Tre nga ta janë kryetarët që dhanë dorëheqje nga posti i të parit të komunës, pas vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve serbe.

SHPËRNDAJE