Lladrovci fton rivalen e AAK-së ta shfrytëzojë pishinën private në shtëpi (video)

Debatet zgjedhore për kryetarë komunave, përveç përplasjeve, shpesh dinë të jenë edhe relaksuese, sidomos kur kundërkandidatët përplasen për çështje që aspak nuk kanë të bëjnë me qytetarët.

Një përplasje e tillë ka ndodhur mbrëmë gjatë një debati televiziv mes kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe kandidates së AAK-së për këtë post, Arta Ahmeti – Xhylani.

Duke folur për premtimet e Lladrovcit të dhëna gjatë fushatës së kaluar për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar në Drenas, kundërkandidatja e tij nga AAK-ja kishte një vlerësim interesant.

Arta Ahmeti – Xhylani, si me ironi tha se, duke marrë për bazë premtimet e Ramiz Lladrovcit, ajo kishte menduar se ai nuk do të kishte kundërkandidat.

Megjithatë, ajo nuk harroi t’ia përmendte pishinën e tij private që e ka në shtëpi, duke thënë se, ndoshta e ka ‘peshkun e artë’ në pishinë dhe ia plotëson të gjitha dëshirat.

“Unë kam menduar se Lladrovci nuk do të ketë fare kundërkandidat duke marrë parasysh ato premtime që i ka dhënë. Kam menduar se ai e ka peshkun e artë në pishinë dhe ia plotëson të gjitha dëshirat”, ka thënë ajo gjatë një debati në RTV Dukagjini.

Lladrovci nuk la pa reaguar ndaj kësaj deklarate rreth pishinës. Madje ai e ftoi kundërkandidaten e AAK-së që ta shfrytëzojë pishinën, pavarësisht se ajo është private.

“Unë pishinën e kam, edhe peshkun e artë e kam në pishinë. Edhe kur të duash mund të vish dhe ta shfrytëzosh pishinën. Edhe pse e kemi private, mund të vish aty me gruan time, nëse të ka mbet merak”, ka thënë Lladrovci si kundërpërgjigje ndaj rivales së tij për zgjedhjet lokale 2017.

SHPËRNDAJE