Lumezi e kishte ‘pastruar’ nga kallëzimet penale, sot Mustafa ia ktheu ‘borxhin’

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ka kthyer borxhin kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezit, në akuzat që ky i fundit po përballet nga ish-prokurori Elez Blakaj. Mustafa ka deklaruar se Lumezi nuk i ka fryrë listat e veteranëve të UÇK-së si dhe prokuroria dhe gjyqësia duhet të vazhdojnë punën pa presion.

Por historia mes të parit të LDK-së dhe Lumezit kishte filluar qysh në vitin e kaluar, kur Lumezi e kishte ‘pastruar’ Mustafën nga kallëzimet penale të dërguara nga Vetëvendosje ndaj tij për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës sa ai kishte qenë kryetar i Prishtinës.

Ai kishte thënë se Mustafa nuk kishte qenë i përfshirë në asnjë nga 70 dosjet sa VV kishte dërguar në Prokurorinë Speciale. Kishte thënë se nuk ka asnjë provë se Mustafa është i involvuar në këto raste.

“Me ju thanë të drejtën, Isa Mustafa nuk ka qenë i përfshirë në asnjë prej kallëzimeve penale të cilat janë dërguar në Prokurorinë Speciale. Nuk ka qenë Isa Mustafa i përfshirë në këto raste. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt relevant i cili tregon se ish-Kryetari i Komunës së Prishtinës ka qenë i involvuar në këto raste”, kishte deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar, Lumezi.

Kur akuzat ndaj Lumezit janë duke rënduar për ndërhyrje në punën e prokurorit të dorëhequr, Elez Blakajt, atij në mbrojtje i ka dal Isa Mustafa. Ka thënë se listat e veteranëve nuk janë fryrë as nga kryeprokurori dhe as nga prokurori i rastit.

“Gjeneza, mendoj se, qëndron te lëshimi me prapavijë klienteliste apo edhe nga interesa të tjera e dëshmive nga përgjegjësit e zonave për njerëz që nuk kanë qenë pjesë aktive e luftës. Prandaj duhet të sillemi racionalist, të mos ngatërrojmë adresat, sepse as Kryeprokurori dhe as ish prokurori i lëndë nuk i kanë fryrë listat. Shfryrja e listave duhet të ndodhë nga ata që i kanë fryrë dhe me Ligj të veçantë. Ndërkaq, keqpërdoruesit duhet të përgjigjen”, ka shkruar Mustafa sot gjatë ditës në llogarinë e tij në Facebook.

Po ashtu ai më tej ka thënë se çështja e veteranëve nuk rëndon vetëm mbi prokurorinë dhe organet gjyqësore, teksa ka shtuar se këto dy institucione duhet ta vazhdojnë punën pa presion publik.

“Shteti i Kosovës duhet të gjejë rrugë për tejkalimin e deformimeve me listat e veteranëve dhe përfitimet e pamerituara të një pjese të tyre. Këtë problem e kemi diskutuar disa herë me përfaqësuesit e FMN-së sa isha Kryeministër i vendit, dhe ishim në një rrugë të gjejmë zgjidhje nga ekspertiza dhe përvoja e tyre ndërkombëtare. Si i tillë, ekzagjerimi i listave dhe numrit të veteranëve nuk duhet të jetë vetëm çështje e prokurorisë dhe gjyqësisë, edhe pse këto organe duhet të vazhdojnë pa presione ta bëjnë punën e tyre”, ka shkruar gjatë ditës së sotme Mustafa.

Kujtojmë se Blakaj ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij për të shkuar në Amerikë me arsyetimin; për ta vazhduar karrierën. Ai ishte duke i hetuar listat e fryra të vetëranëve mashtrues për të cilit rast ai ka deklaruar se kishte marrë kërcënime të shumta.

Gjithashtu në anën tjetër posa kishte marrë detyrën e të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti si anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje kishte bërë kallëzim penal ndaj Isa Mustafës për keqpërdorim të detyrës. Ky veprim i Ahmetit ishte vlerësuar si puna më e mirë e tij në Prishtinë nga deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu./Insajderi

SHPËRNDAJE