Madhështore: 10 mijë kg miell për familjet në nevojë në këtë komunë të Kosovës

Në kohën kur Komuna e Malishevës është në karantinë, për shkak të prezencës së COVID-19, ku si pasojë furnizimi me ushqime është bërë më i vështirë për familjet në nevojë, klubi i futbollit Malisheva, përkatësisht donatorët e klubit, kompanitë Patroni dhe ISP Broadcast, kanë dhuruar të mërkurën, 10 mijë kilogramë miell për këto familje, njofton Komuna e Malishevës.

Sipas komunikatës së Zyrës për Informim, ky donacion është dorëzuar te Shtabi Emergjent lokal.

“Në emër të Komunës së Malishevës, i falënderoj donatorët për këtë ndihmë shumë domethënëse në këto momente jo të mira që jemi duke kaluar si komunë dhe si shtet”, ka thënë kryetari Ragip Begaj.

Ai ka bërë të ditur se shpërndarja e miellit do të bëhet në ditët në vijim, sipas listës së familjeve në asistencë sociale.

Ndërkaq donatorët e sipërpërmendur kanë bërë të ditur se ky nuk do të jetë donacioni i fundit, pasi që do të vazhdojnë të sjellin edhe donacione tjera në ushqime dhe gjëra elementare për familjet në nevojë në Komunën e Malishevës.

SHPËRNDAJE