Mbetet misterioze vdekja e katër personave në Infektivë, të diagnostikuar me COVID-19

Katër vdekjet e dyshuara të personave të diagnostikuar me COVID-19, të ndodhura gjatë së dielës në të njëjtën kohë në Klinikën Infektive në QKUK, po hetohen intensivisht nga organet përgjegjëse.

Ndonëse janë bërë 24 orë prej kur policia kishte rrethuar Infektiven me shirita, prej nga u nxorën trupat e pajetë, ende asnjë informacion zyrtar nuk ka rrjedhur në publik.

IndeksOnline ka pyetur zyrtarët policor dhe ata nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por askush prej tyre nuk është deklaruar për media.

Sipas tyre, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ende nuk është dhënë asnjë informacion për të nxjerr në publik.

Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë për media dje kishte thënë se për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve.

“Ajo çka SHSKUK mund të konfirmojë deri në këto momente është se të gjithë ketë pacientë kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikueshme të diagnostikimit me COVID-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive-QKUK”, është thënë në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky dikaster i ka bërë thirrje publikut dhe të gjithëve “që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve”.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus e deri më 5 korrik janë regjistruar 3,508 raste. Prej tyre, 1,902 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1,531 pacientë. Pra deri të dielën mbrëma numri i të vdekurave nga ky virus ka shkuar 75./IndeksOnline/

SHPËRNDAJE