Mbrojtësi i Danimarkës: Kosova e deshi fitoren më shumë

Qendërmbrojtësi i ekipit kombëtar të Danimarkës, Mathias Zanka Jorgensen, mbeti i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës së tij në ndeshjen miqësore kundër Kosovës, e cila përfundoi me rezultat 2:2.

“Dardanët” kishin qenë në epërsi dy herë gjatë kësaj ndeshjeje, mirëpo Danimarka arriti ta barazojë rezultatin në të dy rastet dhe ndeshja përfundoi me rezultat 2:2, raporton Gazeta Express.

Me këtë barazim ndaj ekipit danez, që është në pozitën e dhjetë në ranglistën e FIFA-s, Kosova e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa pësuar disfatë, e cila tani po vazhdon që 11 ndeshje.

“Nuk ishte mirë. Rezultat 2:2 nuk është diçka tronditës, por nuk ishte ndeshje e mirë për ne. Bëmë shumë gabime dhe nuk qëndruam së bashku kur ishim nën presion”, ka thënë Jorgensen.

“Në përgjithësi, mund të thuash se Kosova e deshi fitoren më shumë se ne. Ata ishin të etur për të luajtur kundër nesh”.

“Kosova është një kombëtare e re futbollit dhe ka disa lojtarë të cilët janë shumë të mirë në përballjet një-kundër-një, por ne u dhamë atyre shumë hapësirë”.

Kosova e mbylli pjesën e parë duke qenë në epërsi me rezultat 1:0, pas golit të shënuar nga qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, në minutën e 42-të të ndeshjes..

Megjithatë, pjesa e dytë e kësaj ndeshjeje miqësore erdhi me tri gola të tjera. Fillimisht ishin danezët ata që e barazuan rezultatin, përmes Christian Eriksenit, i cili u tregua i saktë nga pika e penalltisë në minutën e 63-të të ndeshjes.

Vetëm tre minuta iu deshën djemve të Bernard Challandes për t’iu kundërpërgjigjur këtij goli. Në minutën e 66-të, Bersant Celina e kaloi Kosovën përsëri në epërsi.

Megjithatë, “Dardanët” nuk arritën ta mbajnë rezultatin deri në fund të ndeshjes dhe danezët e nxorën një barazim përmes golit të shënuar nga Pierre-Emile Hojbjerg, në minutën e 91-të.