Me nderime të larta ju dha lamtumira e fundit veteranit dhe veprimtarit Behxhet Jashari

Punëtorit shumë vjeçar të arsimit dhe veteranit të UÇK-së, Behxhet Jashari, sot i është dhënë lamtumira e fundit, duke u varrosur në varrezat e fshatit të tij të lindjes në Strovc të Vushtrrisë, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Në ceremoninë mortore ku kanë marrë pjesë qytetarë të shumtë, drejtues të institucioneve dhe bashkëluftëtarë të UÇK-së, është vlerësuar lartë personaliteti i Behxhet Jasharit si në fushën e arsimit ku dha kontribut të çmueshëm 45 vjeçar ashtu edhe në mbështetjen dhe kontributin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Habib Mustafa, bashkëvendës dhe bashkëluftëtar i Jasharit, foli për luftën por edhe për aktivitetin e tij të madh në fushën e arsimit. “Nga pranvera e vitit 1998 Behxheti bashkë me vëllain e tij Xajën (Dëshmor i Kombit) ju bashkuan UÇK-së. Shtëpitë e tij u shndërruan në bazë të UÇK-së”, ka thënë Mustafa. Ai po ashtu ka folur edhe për punën e palodhshme që ka bërë Behxheti edhe në fushën e arsimit ku punoi nga viti 1964 e deri në vitin 2008, kur u pensionua.

Për kontributin në brigadën 142 të ZOSH të UÇK-së, në emër të degës së Shoqatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së ka folur Shaip Hyseni, i cili tha se që nga fillimi i luftës në prill të vitit 1998 e deri në çlirimin e Kosovës, Behxheti asnjëherë nuk ju nda luftës.

Pjesëmarrësit në ceremoninë mortore në nderim të vëllait të tyre, i ka përshëndetur, Demë Jashari, vëllai i Behxhetit.

Nën organizimin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri sot në Komunën e Vushtrrisë është mbajtur edhe një mbledhje komemorative, ku u vlerësua lartë veprimtaria atdhetare e Behxhet Jasharit. Tahiri tha se Behxhet Jashari kurdoherë do të kujtohet si njeri i urtë punëtor, si mësues e mbi të gjitha atdhetar i madh.

Pas një sëmundje të shkurtë, Behxhet Jashari vdiq dje në moshën 74 vjeçare, derisa varrimi i të ndjerit me nderime të larta u bë sot në varrezat e fshatit të tij të lindjes në Stroc të Vushtrrisë. /Veriu.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE