Mediat serbe: Ambasadori amerikan ndryshoi qëndrimin, Kosova mund të ndahet

Mediet serbe menjëherë sot kanë raportuar për deklaratën e mbrëmshme të ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili nuk e mohoi kategorikisht se në tavolinën e Brukselit mund të flitet për ndarjen e Kosovës.

Medium serb B92 duke cituar deklaratën e ambasadorit Delawie, shkruan se nëse Kosova e Serbia pajtohen, atëherë mund të flitet për ndarje të mundshme të Kosovës.

Tutje, ky medium shkruan se kjo deklaratë e Delawies është në kundërshtim me deklaratat e tij të mëparshme, ku ndarjen e Kosovës e cilësonte si të rrezikshme.

Aty thuhet se Delawie nuk ka vendosur vija të kuqe të SHBA’së për ndarjen e Kosovës, siç kishte bërë në dhjetor të vitit të kaluar, kur kundërshtonte fuqishëm këtë opsion.

Tutje, ambasadori i SHBA’së citohet kur thotë se mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës është e palëkundur edhe se do të vazhdojë.

Kjo është deklarata e Delawies për territore, për të cilën raportojnë mediet serbe:

“Po them: nuk do të flas për atë se çka një element i ujdisë përfundimtare mund të jetë. Nuk do të flas se kush mendoj se do të duhej t’i prijë këtij diskutimi në Bruksel. Nuk do të flas për gjërat apo hollësitë se në ç’sallë duhet të ndodhë kjo apo për trajtën e tryezës.

E veçanërisht, nëse i paraprijmë diskutimit që duhet vërtetë të ndodhë këtu dhe që duhet të ketë pjesëmarrje më të madhe nga partitë politike kosovare. Të gjithë duhet të hyjnë në lojë dhe të flasin për këto gjëra”, ka thënë Delawie./Periskopi

SHPËRNDAJE