Merkel dhe Macron mund të kërkojnë heqjen e taksës

Në Samitin e Berlinit kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron mund t’u kërkojnë udhëheqësve të Kosovës pezullimin e taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës me qëllim që të vazhdojë dialogu me shtetin serb.

Ndërsa, nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj po presin që të tregohet një pozicion i qartë se çka do Kosova, pasi në të kundërtën Kosova do të dalë jo serioz.

Kështu thotë Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovë (KDI) teksa po e komenton Samitin e Berlinit i cili do të mbahet sot dhe ku shteti jonë po përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli.

“Shpresoj që këta liderët politik janë konsoliduar para se të shkojnë në Berlin se ne kemi parë që edhe zotëri Thaçi, edhe zotëri Haradinaj kanë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket disa çështjeve bazike që e presin Republikën e Kosovës, çoftë korrigjimi i kufijve, ose heqja e taksës ose vazhdimi i dialogut, dhe ne do të dilnim shumë jo serioz nëse kemi shkuar në Berlin pa pasur një pozitë të qartë se çka dëshiron Republika e Kosovës tutje”, tha ai.

Murati beson që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë tema kyç e këtij takimi për Ballkanin Perëndimor.

“Meqenëse në Berlin, Franca dhe Gjermania janë dy nga organizatorët kryesor të Samitit, pres që do të diskutohen çështje të hapura në Ballkan, direkt dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë kjo do jetë një prej çështjeve kryesore dhe normalisht që do tu bëhet thirrje të dy shteteve që të mbeten të përkushtuara për dialog. Meqenëse bisedohet për dialog është e pa imagjinueshme që mos të flitet edhe për barrierat të cilat janë shkaktuar për tu ndërprerë dialogu aktualisht, e që është vendosja e taksës dhe po shpresoj që edhe kjo çështje do të diskutohet dhe do t’i kërkohet Republikës së Kosovës nëse jo heqja të paktën pezullimi i saj, dhe normalisht që pastaj u takon institucioneve të vendit të marrin vendime të duhura, dhe që mendojnë të marrin vendime për të ardhmen e vendit”, tha Murati.

E nëpër media ka qarkulluar një draft dokument të konkuzioneve të këtij takimi në të cilin bie në sy fakti se aty nuk përmenden dy tema të ndjeshme siç janë taksa ndaj produkteve serbe e vendosur nga Qeveria e Kosovës, si dhe tema tjetër, ajo rreth korrigjimit të kufijve.

Këtë draft dokument, e ka komentuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili pasi takimit që pati me bashkatdhetarët në Gjermani tha se nuk ka asnjë draft dokument se për çfarë do të diskutohet me Serbinë në këtë takim. Teksa presidenti, Hashim Thaçi theksoi se nuk ka dialog me Serbinë pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.