Merret vendimi për pronarin e kompanisë që mashtroi KEK’un: Tentoi të shesë dezinfektues e maska jocilësore

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.D për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Mashtrim, Mashtrim i blerësve dhe Mashtrim i konsumatorëve”.

Sipas gjykatës, të pandehurit SH.D. iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, pasi që Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të Kodti të Procedurës Penale.

“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, për shkak se ekziston rreziku i ikjes ngase i pandehuri SH.D. kishte ardhur nga Norvegjia dhe i njëjti me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale mund të kthehet përsëri në Norvegji dhe të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale. Po ashtu ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se i pandehuri mund të arratiset sepse kemi të bëjmë me përfitim të kundërligjshëm dhe dëm të madh pasuror, duke pasur parasysh se vepra ka ndodhur në kohën e pandemisë, me ç ‘rast KEK-u, duke u munduar të mbrohet nga pandemia, është mashtruar nga ana e të pandehurit, ku kanë mundur të rrezikohen punëtorët e KEK-ut dhe të infektohen me virusin COVID 19 për shkak të cilësisë së produktit. I pandehuri SH.D. në emër të kompanisë së tij, me datë 27.03.2020 kishte nënshkruar kontratë me Korporatën Energjetike të Kosovës-KEK, për furnizim me maska higjienike dhe dezinfektues, të cilit produkt pas analizave që i ishin bërë nga laboratori i Doganës së Kosovës, ka rezultuar se i njëjti kishte mashtruar për cilësinë dhe kualitetin e dezinfektuesit”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

SHPËRNDAJE