Mijëra biznese shuhen çdo vit në Kosovë

Shuarja e bizneseve është një prej fenomeneve më shqetësuese për ekonominë kosovare. Statistikat e entiteteve që merren me regjistrimin e bizneseve dhe Ministrisë së Tregtisë tregojnë të dhëna alarmante në këtë drejtim, për të cilin jipen arsye të ndryshme.

Statistikat e mbledhura nga Ministria e Tregtisë tregojnë që vetëm gjatë 12 muajve të vitit të kaluar rreth 2,000 biznese e kanë ndërprerë aktivitetin dhe kanë dalë në kategorinë e bizneseve të shuara, ndërkohë që kjo shifër ka vazhduar edhe në vitin 2019, pasi që vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, rreth 800 biznese tashmë kanë deklaruar që e kanë ndërprerë biznesin.

Ndërkaq, platforma Bizneset e Hapura, e zhvilluar nga organizata Open Data Kosovo, tregon një tjetër statistikë interesante sa i përket nivelit të shuarjes së bizneseve në Kosovë. Sipas disa të dhënave të vizualizuara, që prej vitit 2000 në Kosovë kanë ekzistuar apo janë hapur ndërkohë më shumë se 190 mijë biznese, ndërkohë që më shumë se 26 mijë prej tyre tashmë janë shuar e 165 mijë mbesin aktive.

Shprehur në përqindje, i bie që më shumë se 13 përqind e bizneseve që janë hapur në Kosovë që pas luftës janë detyruar të shuhen për arsye të ndryshme, kryesisht të lidhura me mungesën e zhvillimit ekonomik dhe mangësitë në reforma. Përfaqësuesit e organizatave që merren me biznese dhe njohës të ekonomisë në Kosovë thonë që konkurrenca, monopoli, kostot e larta dhe mungesa e fuqisë blerëse kanë ulur mundësinë e të bërit biznes dhe kanë bërë që klima zhvillimore tregtare të jetë e ulët.

Në anën tjetër, edhe pse Kosova është e renditur më mirë se vendet e rajonit në segmentin e të bërit biznes, në terren një gjë e tillë është vështirë të shihet, pasi që e vetmja lehtësi që e dallon Kosovën nga vendet tjera në këtë aspekt është hapja e biznesit, që vazhdon të jetë e lehtë në kuptimin procedural, por një gjë e tillë nuk mund të thuhet për zhvillimin e mirëfilltë të biznesit dhe rritjen e tij, madje as për mbylljen e bizneseve.

Duke qenë kështu, mendohet që shifra e bizneseve që kanë pushuar së ushtruari aktivitetin mund të jetë më e lartë se të dhënat zyrtare të prezantuara nga Ministria e Tregtisë dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, pasi që shumë biznese që ndalojnë aktivitetin e tyre nuk e bëjnë këtë edhe në mënyrë zyrtare në institucione, duke bërë që shifrat e shuarjes së bizneseve të mos jenë reale.

(Ky artikull është publikuar si pjesë e projektit “Përmirësimi i praktikave të transparencës së qeverisë dhe të bizneseve nëpërmjet të dhënave të hapura” financuar nga Ambasada Amerikane dhe që implementohet nga Open Data Kosovo).

SHPËRNDAJE