Miku i Qalajt që u bë major – cigare në zyrë dhe shoqëri me politikanët

I graduar nga kapiteni në major të Policisë së Kosovës rreth dhjetë muaj më parë, Ismajl Fejzullahu, nuk e ka rritur nivelin e përgjegjësisë në punë siç i janë rritur gradat nga institucioni i Policisë.

Fejzullahu, major i Policisë së Kosovës në Gjilan dhe pjesë e Njësisë së Komunikacionit dhe Autostradës (NJKA) – konsumon duhan në zyrat e këtij institucioni të sigurisë.

Kështu tregon një fotografi të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.

Aty shfaqet major Fejzullahu duke konsumuar duhan teksa qëndron i ulur pranë kompjuterit në zyrën e tij.

Megjithatë, thyerja e rregullave nga majori ka kaluar pa u ndëshkuar prej drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt, me vendimin e të cilit Ismajl Fejzullahu u ngrit në detyrë në muajin prill të 2019-s.

Përveç raporteve profesionale, Fejzullahu ka edhe raporte shoqërore me drejtorin Qalaj.

Një fotografi tjetër të cilën e ka siguruar gazeta, shfaq Qalajn të shoqëruar nga Fejzullahu në një aheng të organizuar nga Policia e Kosovës.

Por, njëjtë sikurse drejtori Qalaj, edhe Ismajl Fejzullahu ka lidhje të ngushta me politikanë të fuqishëm në vend.

Mjafton një kontroll i shpejtë në profilin e Fejzullahut në Facebook, për të konfirmuar afërsinë shoqërore të tij me Sami Lushtakun, ish-kryetarin e Skenderajt, aktualisht anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Sami Lushtaku dhe Ismajl Fejzullahu, majori i Policisë

Madje, një nga fotografitë e para të publikuara në profilin e Fejzullahut, më 2012, shfaq majorin nga Gjilani nën shoqërinë e Lushtakut, mikut të tij të moçëm.

Një fotografi tjetër dëshmon afërsinë e major Fejzullahut me Lushtakun, si dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Të tre shfaqen së bashku në një ndejë private rreth një tryeze me mish.

Fotografi të majorit Fejzullahu me kryetarin e Gjilanit të realizuara jashtë institucioneve gjenden po ashtu të publikuara në rrjetin social Facebook.

Rreth dy javë më parë, Insajderi publikoi hulumtimin që dëshmon kapjen e institucionit të Policisë nga njerëz të afërt me Elmi Reçicën, ish-vartësin e Kadri Veselit në ShIK.

Hulumtimi dëshmon se si një grup i madh njerëzish në poste udhëheqëse të Policisë së Kosovë ndërlidhen me një emër të fuqishëm të politikës: Elmi Reçicën, deputetin e fuqishëm të PDK-së.

Ata janë emëruar në pozita drejtuese në kohën e qeverisjes së PAN-it, koalicion që udhëhiqej nga Partia Demokratike e Kosovës.

SHPËRNDAJE