Ministri Lluka: Letër “dorëheqja” e ish drejtorit Tmava është tendencioze, do ta auditojmë “Trepçën”

Drejtori menaxhues i ndërmarrja “Trepça” ka dalë me një prononcim medial, duke thënë se jep dorëheqje nga pozita e drejtorit, me ç’rast ka adresuar kritika për ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, për kinse pengim në kryerjen e detyrave të tij. Por një gjë të tillë e ka mohuar kategorikisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Për të sqaruar këtë situatë, ministri i MZHE-se, Valdrin Lluka, sot ka thirrur një konferencë për media, ku ka treguar hollësisht se si është situata me ndërmarrjen Trepça.

“Mandati i drejtorit të Trepçës ka përfunduar me datën 5 shkurt 2018, andaj, cila do letër ‘dorëheqje’, është tendencioze, jo e sinqertë dhe nuk krijon pasoja juridike. Ministria e Zhvillimit Ekonomik është e obliguar që të respektoj afatet dhe dispozitat ligjore për gjithë secilin udhëheqës të cilës do ndërmarrje publike, pra edhe për ish-Menaxherin e Trepça Sh.A., Ahmet Tmava.

Pretendimet për ndërhyrje të çfarëdo lloji janë të pabaza dhe qartësisht kanë për qëllim keq-informimin e opinionit publik e mbi të gjitha arsyetimin e veprimeve të njëanshme të ish-menaxherit z.Tmava, i cili pa kurrfarë njoftimi paraprak tek aksionari (në këtë rast Ministria e Zhvillimit Ekonomik), vendos të marrë pjesë në aktivitete, të cilat implikojnë shpenzime financiare për ndërmarrjen e të cilat janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi”, ka thënë ministri i MZHE-së.

Ministri Lluka ka bërë të ditur se në Komitetin Ndërministror për Ndërmarrje Publike, është marrë aprovimi i gjithë anëtarëve për auditimin e Trepçës.

“Është jashtëzakonisht më rëndësi që Trepça të auditohet nga Auditori i Përgjithshëm, sepse në momentin që regjistrohet si shoqëri e re aksionare t’i kemi të qarta të gjitha shpenzimet që janë bërë dhe të gjitha asetet e saj”, ka theksuar ministri Valdrin Lluka.

SHPËRNDAJE