Ministri Vitia konfirmon arritjen e shtatë mijë testeve për të zbuluar sëmundjen e Covid-19

Ministri i shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur sot se në Kosovë kanë arritur 7 mijë testet të reja që do të shërbejnë për të detektuar sëmundjen COVID-19.

Vitia, përmes një statusi në profilin e tij në “Facebook”, ka njoftuar qytetarët se Institutin Kombëtar i Shëndetit Publik është pasuruar edhe me 7 mijë teste të reja.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se tashmë është iniciuar edhe kërkesa për furnizim  edhe me dhjetë mijë teste të tjera.

Postimi i plotë:

“Shtatë mijë teste mbërritën sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për RT-PCR. Ato do të shërbejnë për të detektuar sëmundjen COVID-19. Ndërkohë, u iniciua kërkesa për furnizmin edhe me dhjetë mijë teste të tjera.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbërriti një pjesë e donacionit me material mjekësor mbrojtës kundër COVID-19.

Në ditët në vijim mbërrin edhe donacioni nga UNICEF me materiale shtesë.
Përmes Bankës Botërore kanë përfunduar proceduarat e aktivitetit të prokurimit për material mjekësor mbrojtës.
Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë, është në fazën finale prokurimi për materiale mbrojtëse, pajisje dhe barna.

Krahas veprimeve institucionale, individë dhe biznese brenda dhe jashtë vendit po vazhdojnë të solidarizohen me donacione të shumta si kontribut për të administruar situatën me COVID-19.
Rreth 300 vullnetarë janë regjistruar dhe aktualisht janë në krye të detyrës duke i dalë në ndihmë qytetarëve dhe personelit shëndetësor.

Të dashur qytetarë,
Kjo kohë krize edhe një herë e vuri në pah solidaritetin, gatishmërinë, vetëdijen dhe kulturën e lartë qytetare.
E gjithë kjo është një falenderim, mirënjohje dhe ndihmë e madhe për personelin shëndetësor🤝👏

Qëndroni në shtëpi.
Ndiqni rekomandimet e MSh-së dhe IKShP-së.

Bashkë do t’ia dalim!”.

SHPËRNDAJE