Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka nënshkruar sot me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gatmir Matoshi, marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e 7 projekteve kapitale për komunën tonë, që janë vazhdimësi e projekteve të vitit 2018 dhe projekte të reja.
Më saktësisht projektet kanë të bëjnë me vazhdimin e punëve në rregullimin e shtratit të Lumit “Klina”, deri në Klinë, për të vazhduar në faza të mëvonshme deri në Kuqicë; si dhe projekte të rregullimit dhe mirëmbajtjes së lumenjve tjerë.
Do të intervenohet edhe në sistemin e ujërave të zeza, me rregullimin e kanalizimeve nëpër bashkësi lokale, për të vazhduar gjatë këtij viti me punë edhe në fusha të tjera, që pa asnjë dyshim do të ndikojnë në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë.
Me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor na presin në të ardhmen edhe projekte të tjera, në interes të qytetarëve.
Kryetari Jashari e ka falënderuar ministrin Matoshi, për bashkëpunim të sinqertë dhe mbështetje të projekteve.