Mitet rreth koronavirusit

Ndërsa koronavirusi i ri vazhdon të infektojë njerëzit në mbarë botën, artikujt e lajmeve dhe postimet në mediat sociale rreth tij vazhdojnë të përhapen në internet.

Fatkeqësisht, kjo përmbytje e pamëshirshme e informacionit mund t’a bëjë të vështirë ndarjen e fakteve nga trillimet dhe gjatë një shpërthimi viral, thashethemet dhe dezinformatat mund të jenë të rrezikshme.

Faqja e njohur shkencore Live Science jep një listë me mitet më të përhapura rreth covid 19.

Miti: Maska për fytyrën mund t’iu ​​mbrojnë nga virusi.

Maska kirurgjikale standarde nuk mund t’ju mbrojnë nga SARS-CoV-2, pasi ato nuk janë të dizejnuara për të bllokuar grimcat virale dhe ato nuk përputhen mirë me fytyrën.

Me fjalë të tjera, maskat kirurgjikale mund të ndihmojnë që personat e infektuar të mos e përhapin virusin më tej duke bllokuar spërkat që mund të dalin nga goja gjatë frymëmarrjes ose kur flasim.

Brenda ambienteve të kujdesit shëndetësor, respiratorët specialë të quajtur “N95 respirators” kanë treguar se zvogëlojnë në masë të madhe përhapjen e virusit në mesin e stafit mjekësor.

Por, ata që e vënë duhet të trajnohen në mënyrë që ta përshtasin siç duhet respiratorin N95 te hunda, faqet dhe mjekra e tyre për të siguruar që ajri nuk do mund të kalojë nëpër cepat e maskës; gjithashtu ata duhet t’a kontrollojnë pajisjen për ndonjë dëmtim të mundshëm pas çdo përdorimi.

Miti: Ju keni më pak të ngjarë të infektoheni me këtë virus sesa me gripin e zakonshëm.

Jo domosdoshmërisht. Për të vlerësuar se sa lehtë përhapet një virus, shkencëtarët llogaritin “numrin bazik të riprodhimit”, ose R0. R0 parashikon numrin e njerëzve që mund të kapin një virus nga vetëm një person i infektuar.

Aktualisht, R0 për SARS-CoV-2, pra virusi që shkakton sëmundjen COVID-19, vlerësohet në rreth 2.2, që do të thotë se një person i vetëm i infektuar do të infektojë rreth 2.2 të tjerë, mesatarisht. Për krahasim, gripi i zakonshëm ka një R0 prej 1.3.

Miti: Virusi është vetëm një formë mutante e ftohjes së zakonshme.

Jo nuk është. Koronavirusi është një familje e madhe e viruseve që përfshin shumë sëmundje të ndryshme.

SARS-CoV-2 ka ngjashmëri me koronaviruset e tjerë, katër prej të cilave mund të shkaktojnë ftohjen e zakonshme. Të pesë viruset kanë cepa që ngjajnë me gjembat në sipërfaqet e tyre dhe përdorin të ashtuquajturat “proteina me maje” për të infektuar qelizat pritëse.

Sidoqoftë, katër koronaviruset që shkaktojnë ftohjen të quajtur 229E, NL63, OC43 dhe HKU1 i përdorin njerëzit si “mikpritësit” e tyre kryesorë. Ndërsa SARS-CoV-2 ndan rreth 90% të materialit të tij gjenetik me koronaviruse që infektojnë lakuriqët, gjë që sugjeron që virusi e ka origjinën te lakuriqët dhe më vonë hidhet te njerëzit.

Provat sugjerojnë që virusi kaloi përmes një kafshe të ndërmjetme përpara se të infektonte njerzit. Në mënyrë të ngjashme, virusi SARS u hodh nga lakuriqët në “civets” (gjitarë të vegjël, të natës) gjatë rrugës së tij te njerëzit, ndërsa MERS infektoi devet përpara se të përhapej tek njerëzit.

Miti: Virusi ndoshta është bërë në një laborator.

Asnjë provë nuk sugjeron që virusi është i krijuar nga njeriu. SARS-CoV-2 ngjason ngushtë me dy koronaviruse të tjerë që kanë shkaktuar shpërthime në dekadat e fundit, SARS-CoV dhe MERS-CoV, dhe të tre viruset duket se kanë origjinën te lakuriqët.

Shkurt, karakteristikat e SARS-CoV-2 bien në përputhje me ato që dimë për koronaviruset e tjerë që ekzistojnë në natyrë dhe kalojnë nga kafshët te njerëzit.

Miti: Marrja e COVID-19 është “dënim me vdekje”.

Kjo nuk është e vërtetë. Rreth 81% e njerëzve që janë të infektuar me koronavirus kanë raste të buta të COVID-19, sipas një studimi të publikuar më 18 shkurt nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Rreth 13.8% raportojnë simptoma të rënda, që do të thotë se kanë shkrutim të frymëmarrjes, ose kërkojnë oksigjen shtesë, dhe rreth 4.7% janë në gjendje kritikë, domethënë ata përballen me dështim të frymëmarrjes, dështim shumë-organesh ose shok septik.

Të dhënat deri më tani sugjerojnë që vetëm rreth 2.3% e njerëzve të infektuar me COVID-19 vdesin nga virusi. Personat që janë më të moshuar ose kanë probleme themelore shëndetësore duket se janë më të rrezikuar të kenë pasoja të rënda ose komplikime.

Ndërsa nuk ka nevojë për panik, njerëzit duhet të ndërmarrin hapa për të përgatitur dhe mbrojtur veten dhe të tjerët nga koronavirusi i ri.

Miti: Kafshët shtëpiake mund të përhapin koronavirusin e ri.

Disa qen dhe mace u testuan pozitive për një virus të ngjashëm, SARS-CoV, gjatë një shpërthimi në 2003. Sidoqoftë, ekspertja e shëndetit të kafshëve Vanessa Barrs thotë,

“Përvoja e mëparshme me SARS sugjeron që macet dhe qentë nuk do të sëmuren ose transmetojnë virusin te njerëzit”. “Më e rëndësishmja, nuk ka prova të transmetimit viral nga qentë ose macet te njerëzit”.

Miti: Nëse keni koronavirus, “do t’a kuptoni.”

Jo, nuk do t’a kuptoni. COVID-19 shkakton një gamë të gjerë simptomash, shumë prej të cilave shfaqen edhe në sëmundje të tjera të frymëmarrjes si gripi dhe ftohja e zakonshme.

Në mënyrë të veçantë, simptomat e zakonshme të COVID-19 përfshijnë ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje ndërsa simptomat më të rralla përfshijnë marramendje, të përziera, të vjella dhe rrufë.

Në raste të rënda, sëmundja mund të përparojë një një sëmundje serioze të ngjashme me pneumoninë. Sidoqoftë, në fillim personat e infektuar mund të mos shfaqin fare simptoma.

Miti: Koronavirusi është më pak vdekjeprurës sesa gripi.

Deri më tani, duket se koronavirusi është më vdekjeprurës sesa gripi. Sidoqoftë, ka ende shumë pasiguri rreth shkallës së vdekshmërisë së virusit. Gripi vjetor zakonisht ka një normë vdekshmërie prej rreth 0,1% në Sh.B.A.

Për krahasim, të dhënat e fundit sugjerojnë që COVID-19 ka një normë vdekshmërie më shumë se 20 herë më të lartë, prej rreth 2.3%, sipas një studimi të publikuar në 18 shkurt nga Kina CDC Weekly. Shkalla e vdekjes ndryshonte nga faktorë të ndryshëm si vendndodhja dhe mosha e një individi.

Por këta numra po evoluojnë vazhdimisht dhe mund të mos përfaqësojnë nivelin aktual të vdekshmërisë. Nuk është e qartë nëse numërimi i çështjeve në Kinë janë të dokumentuara me saktësi.

Miti: suplementet e vitaminës C do t’ju ndalojnë të kapni COVID-19.

Studiuesit nuk kanë gjetur ende ndonjë provë që suplementet e vitaminës C mund t’i bëjnë njerëzit imun ndaj infeksionit COVID-19.

Në fakt, për shumicën e njerëzve, marrja e vitaminës shtesë nuk e heq as të ftohtin e zakonshëm, megjithëse mund të shkurtojë kohëzgjatjen e një ftohjeje nëse kapni një të tillë.

Thënë kështu, vitamina C ka një rol thelbësor në trupin e njeriut dhe mbështet funksionin normal të imunitetit.

Si një antioksidant, vitamina C neutralizon grimcat e ngarkuara të quajtura radikale të lira që mund të dëmtojnë indet në trup. Gjithashtu ndihmon trupin në sintetizimin e hormoneve, ndërtimin e kolagjenit dhe mbylljen e indit lidhës të prekshëm kundër patogjenëve.

Pra, po, vitamina C duhet të përfshihet në dietën tuaj ditore, nëse doni të ruani një sistem të shëndetshëm imunitar.

Por megadozimi i suplementeve nuk ka të ngjarë të ulë rrezikun për kapjen e COVID-19, dhe maksimumi mund të ju jap një avantazh “modest” kundër virusit, nëse infektoheni.

Asnjë provë nuk sugjeron që të ashtuquajturat suplementet e tjera që rritin imunitetin siç është zinku, çaji jeshil ose ekinacea ndihmojnë në parandalimin e COVID-19.

Kini kujdes nga produktet që reklamohen si trajtime ose kura për koronavirusin e ri.

Përktheu faqja “Skeptik”

Burimi:

https://www.livescience.com/coronavirus-myths.html