Mjeku që e operoi ish-Presidentin Fatmir Sejdiu flet për Gazetën Express

Presidenti Sejdiu një ditë më parë ka kërkuar ndihmë mjekësore pas disa shtrëngimeve që kishte ndier në zemër. Dhembjet në gjoks, shtrëngimet e plogështia, ishin simptomat të cilat kanë bërë që ish-Presidentit Sejdiu të dërgohet në spital e më pas t’i kryhet një ndërhyrje kirurgjike, të mërkurën, në sallat e Spitalit Amerikan në Prishtinë.

Gazeta Express ka qenë në repartin ku gjendet ish-Presidenti. Detaje rreth operimit ka dhënë mjeku kryesor, i cili e ka bërë operimin e Fatmir Sejdiut.

Doktori, i Kirurgjisë Kardio-Torakale në Spitalin Amerikan, Besnik Kojiçiçi, thotë për Express se operacioni ka shkuar mirë dhe se gjendja e ish-Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, është stabile.

“Zoti Sejdiu ka pasur një sëmundje koronare me ato shqetësimet që i ka secili pacient me sëmundje të tilla. Dhembje në gjoks, shtrëngime, plogështi. Është bërë diagnostikimi me sëmundje koronare dhe intervenimin e kemi bërë dje”, ka thënë ai.

Tutje doktor Kojiçiçi tregon se Sejdiut i janë vënë disa “by-passa”.

“Pa probleme i kemi bërë “by-pass”, është ekstubu. Tash është mirë, sot ka lëvizë, ka ec, gjendja e tij është e mirë. Deri tash unë si operues, jam i kënaqur me ecurinë e operacionit. Për momentin është në reanimacion duke qëndruar”, shpjegon tutje doktori që e ka operuar ish-Presidentin Sejdiu.

E ndërkohë, Fatmir Sejdiu do të qëndrojë një javë në klinikën e Kardiologjisë në Spitalin Amerikan.

Ish-Presidenti Sejdiu ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, duke ardhur në krye të saj në vitin 2006.
Nga pozicioni i Presidentit të Kosovës, Sejdiu kishte udhëhequr bisedimet për statusin në Vjenë, të cilat janë zhvilluar me palën serbe me ndërmjetësim ndërkombëtar, e që në vitin 2008 kishin rezultuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. /Gazeta Express/

/

SHPËRNDAJE