Modriç sfidon ligjet, por në stërvitje mungojnë 5 titullarë

Për pak kohë do të festojë 33-vjetorin e lindjes, por duket se për Luka Modriçin mosha është thjesht një numër. Një muaj më parë luajti finalen e Ligës së Kampionëve me Realin e Madridit, ndërsa nesër do të zbresë në fushën e lojës për finalen e Botërorit. Pa pushuar shumë, iu bashkua kombëtares së tij për të bërë stërvitje në prag të këtij kompeticioni.

Luka deri tani ka luajtur 6 ndeshjet dhe për më tepër ka qenë prezent në tri shtesat, në fazën e 1/8-ave, çerekfinaleve dhe gjysmëfinale. Gjatë këtyre sfidave ka arritur 604 minuta dhe ka përshkuar 65 kilometra. Nga këto, 25 me topin në këmbë. Te Reali i Madridit luajti 45 ndeshje në këtë sezon, ndërsa ndaj Anglisë doli në minutën e 114-të i lodhur. Ai nuk ka fizikun e Ronaldos, por di të luajë, di të vrapojë, të pozicionohet, di kur të vendosë të vrapojë dhe kur të pushojë në fushën e lojës.

Dhe ai është shndërruar në një shembull për futbollin dhe futbollistët. Sepse ka edhe më të rinj se ai që nuk vrapojnë dhe kënaqen me pak në fushën e lojës. Stërvitja- Por nëse trupi i Modriçit përballon këtë ngarkesë, të tjerët duket se kanë probleme. Pak orë përpara finales nuk ka lajme aspak të mira për trajnerin Daliç. Pesë prej titullarëve nuk janë stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës dhe kanë probleme. Bëhet fjalë për Perisiç, Striniç, Subashiç, Vrsaljko dhe Lovren. Më shqetësuese ishte gjendja për dy të parët.

 

SHPËRNDAJE