Mungon i pandehuri, shtyhet seanca gjyqësore për sulmin kundër gazetarit Gazmend Morina

Është shtyrë mbajtja e shqyrtimit gjyqësor kundër të akuzuarve Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, për rastin e rrahjes së gazetarit Gazmend Morina, që ka ndodhur më 26 janar 2016 në Vushtrri.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës – dega në Vushtrri, Ferki Xhaferi ka marrë vendim që seancë të shtyhet për 11 korrik 2018, pasi që ka konstatuar se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës për shkak të mos prezencës së njërit prej dy të akuzuarve, Labinot Krasniqit.

I akuzuari Nexhat Dedia e ka njoftuar gjyqtarin se i akuzuari tjetër Labinot Krasniqi, nuk ka mundur të marrë pjesë në seancë për shkak se i ka vdekur xhaxhai. Gjyqtari ka treguar se nuk ka marrë kurrfarë njoftimi me shkrim nga i akuzuari Labinot Krasniqi për mos prezencë e tij në seancë, përderisa ka bërë të ditur që në rast se mungon edhe në seancën e radhës, do të sillet me metoda tjera në gjykatë.

Të pranishëm në seancë ishin prokurorja e rastit, i dëmtuar Gazmend Morina, i akuzuari Nexhat Dedia dhe dy dëshmitarë.

Kjo seancë është zvarritur shumë, pasi që është mbajtur dy vite e gjysmë pas ndodhjes së rrahjes dhe dy vite pas aktakuzës nga prokuroria për dy të akuzuarit, e cila ishte ngritur më 20 korrik 2016.

Kujtojmë se pas një kërcënimi të bërë më 23 janar 2016, gazetari i portalit Veriu.info, Gazmend Morina më 26 janar 2016 është rrahur fizikisht me shufra hekuri nga ish asambleisti i PDK-së në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi.

Gazetari Morina kohën kur ka ndodhur kërcënimi, por edhe pas sulmit, ka thënë se po sulmohet me urdhra të drejtorit të atëhershëm të ndërmarrjes ‘Trepça’, Ahmet Tmava dhe nën organizimin e udhëheqësit të sigurimit të ndërmarrjes ‘Trepça’, Rafet Ibishi, përderisa Dedia e Krasniqi janë vetëm ekzekutues të sulmit.

Sulmin ndaj Morinës e kishin dënuar të gjitha partitë politike, përveç PDK-së. Po ashtu sulmin e kishin dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e shefi i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger. Po ashtu edhe Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte evidentuar këtë rast, si njërin ndër katër sulmet kryesore ndaj gazetarëve të ndodhura në Kosovë gjatë vitit 2016.

Foto e bërë në ditën e kërcënimit – 23 janar 2016: Rafet Ibishi (I pari majtas), Ahmet Tmava (I dyti majtas), Nexhat Dedia (në mes) dhe Labinot Krasniqi (I pari djathtas)

SHPËRNDAJE