Murati: Qëndrimi kundër ridefinimit të kufijve sipas vullnetit të popujve, sot, është qëndrim në favor të ndarjes sipas synimit serb, nesër

Kryetari i Lëvizës për Bashkim (LB), Valon Murati, ka deklaruar se  Qëndrimi kundër ridefinimit të kufijve sipas vullnetit të popujve, sot, është qëndrim në favor të ndarjes sipas synimit serb, nesër.

Në profilin e vtij në “Facebook”, ai ka shkruar se kufijtë aktual të Kosovës janë kufij të kolonializmit dhe shovinizmit serbomadh.

Sipas Muratit, këta kufij nuk kanë qenë as nuk janë në funksion të interesave të popullit shqiptar. “Andaj është për t’u çuditur për zellin që kanë një pjesë e njerëzve në Kosovë, figurave publike, politikanëve dhe gazetarëve për t’u paraqitur si mbrojtës të këtyre kufijve. Personalisht, kam drojë se krejt kjo zhurmë po bëhet që si fund të kemi një gjysmë marrëveshje, që do ta betonizonte asociacionin apo edhe ndonjë lloj autonomie të serbëve në Kosovë. Kjo do të ishte zgjidhja më e keqe e mundshme nga të gjitha variantet e që do të përpiqet të shitet si fitore e madhe për Kosovën dhe integritetin e saj territorial”, ka shkruar ai, duke shtuar se do të ishte fat i madh për Kosovën nëse Lugina e Preshevës do t’i bashkohej Kosovës në këmbim të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

“Përndryshe, nuk do të kishte fat më të madh, sesa si pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë të ndodhte ridefinimi i kufijve me Serbinë, duke u bazuar në vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe të atij serb në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Ky do të përbënte hapin qenësor për shndërrimin e Kosovës në një shtet tërësisht funksional e normal dhe do ta mbyllte në mënyrë paqësore konfliktin shqiptaro-serb. Përndryshe, qëndrimi kundër idesë së reciprocitetit deri në ridefinim të kufirit, është qëndrim në favor të asociacionit. E ky asociacion, së bashku me fuqinë bllokuese të serbëve në Kuvend, nesër do të na sjellë ndarjen. Pra, do ta mundësojë realizimin e plotë të synimit të Serbisë”, ka shkruar Murati.

SHPËRNDAJE