Mustafa i prerë: Ja këput çdo shpresë Albin Kurtit

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, nuk lëkundet nga qëndrimi se partisë së tij duhet t’i takojë posti i kryeministrit në rast të ndonjë koalicioni eventual parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mustafa thotë se në rast se nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje para zgjedhjeve, atëherë për postin e kryeministrit vendoset pas zgjedhjeve.

Për kreun e LDK’së, posti i kryeministrit pas zgjedhjeve do t’i takojë atyre që marrin më së shumti vota.

“Me rëndësi është të definohen objektivat e qarta të qeverisjes. Të ekipohet një qeveri e përgjegjshme ndaj qytetarëve, karshi ligjit dhe karshi partnerëve tanë ndërkombëtarë. LDK nuk hyn në koalicion parazgjedhor pa kandidaten e saj për Kryeministër. Në qoftë se nuk gjejmë zgjidhje në këtë fazë, atëherë mbetet që kryeministrin ta jap LDK ose VV pasi të kryhen zgjedhjet, varësisht se kush është parti e parë”, ka thënë Mustafa në një intervistë për ‘Bota Sot’.

Për çështjen e koalicionit parazgjedhor Isa Mustafa sot ka zhvilluar një takim të shkurtër me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, megjithatë nuk ka pasur diçka konkrete.

Në anën tjetër nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka lënë të kuptohet se qëndrimet ndërmjet dy partive janë duke u afruar, duke dhënë shpresa së një koalicion parazgjedhor është i mundshëm.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor të këtij viti, ndërkohë afati i fundit për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore është data 30 gusht. Dy partitë, LDK dhe Vetëvendosje kanë kohë vetëm edhe një ditë, që të vendosin nëse do të shkojnë me një listë të përbashkët ne zgjedhje, apo ndaras./GazetaExpress/

SHPËRNDAJE