Mustafa: Jemi të hapur ta diskutojmë futjen e PDK-së në Qeveri – nëse s’pajtohemi për postin e presidentit shkojmë në zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është përgjigjur në shumë tema të rëndësishme për vendin.

Mustafa në një intervistë per Telegrafin ka thënë se Kuvendi është bërë jofunksional dhe sipas tij më së paku po i përngjan organit ligjvënës e shumë më tepër një teatri me shfaqje të këqija për publikun.

I pari i LDK-së ka thënë se është i hapur diskutimi për futjen e PDK-së në Qeveri.

“Takime nuk kemi mbajtur. Jemi të hapur që ta diskutojmë edhe këtë mundësi si pjesë e pakos për marrëveshje për zgjedhje të Presidentit. Në javët në vijim do të iniciojmë një tryezë të partive parlamentare, nga e cila do të dilnin përcaktimet për parimet, kriteret dhe kandidatët e mundshëm për këtë pozitë. Pas kësaj do të deklarohemi për vullnetin politik të LDK-së për ndonjë kandidat apo për zgjedhje të reja. E vlerësojmë se zgjedhjet në këtë situatë pandemie nuk do duhej të mbahen. Por, në qoftë se nuk pajtohemi për Presidentin, do të pajtohemi për zgjedhje”, ka thënë ai.