Naser Rugova për votën pro Haradinajt: Do të respektojë vendimet e LDK-së

Deputeti i zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Naser Rugova, ka mohuar pretendimet e medieve se ai mund të jetë njëri nga deputetët e kësaj partie i cili mund të votojë Ramush Haradinajn për kryeministër.

Përmes një postimi në Facebook, Rugova ka thënë se ai do të respektojë vullnetin e elektoratit që e ka zgjedhur dhe vendimet politike të organeve vendimmarrëse të LDK-së në harmoni të plotë me Grupin Parlamentar të subjektit që i takon.

Mediat kanë spekuluar se në favor të koalicionit PAN do të votojnë, deputetja e LDK-së Teuta Rugova, vajza e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, si dhe deputeti tjetër i kësaj partie, Naser Rugova.

Madje është thënë se për t’i bindur këta deputetë qe një kohë të gjatë është angazhuar ish-ministri i Mjedisit, Dardan Gashi.

Postimi i plotë i Naser Rugovës në Facebook:

Mirëmengjes miq,

Sot vikend, ditë e mirë.

Jam në bjeshkët e bukura të vendlindjes sime.

Prap e paskan lakuar emrin tim, si numër e jo si i zgjedhur nga vota e qytetarëve. Për herë të fundit po ju bëj të fala se unë Naser Ali Rugova do të respektoj vullnetin e elektoratit që më ka zgjedhur dhe vendimet politike të organeve vendimarrëse të LDK- së në harmoni të plotë me Grupin Parlamentar të subjektit që i takoj.

Qëndrestarët gjithmonë ja dalin!

Vetëtima gjuan lisat e jo hithërat!

Stoik si gjithmonë!

Tradita vazhdon!(sic)

SHPËRNDAJE