Nasim Haradinaj del para Gjykatës në Hagë

Nasim Hardinaj do të paraqitet sot në Gjykatën Speciale në Hagë në një seancë gjyqësore që pritet të mbahet në orën 15:00.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë për Gazetën Express se nuk kanë informacion se kush do të jetë avokat i nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinajt, e as i kryetarit Hysni Gucati.

“Jo nuk kemi komuniku. Nuk e dimë. Ata kanë bisedu vetëm me familjarët e tyre”, ka thënë Klinaku.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan të premten në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim në Hagë, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara.

Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Seanca gjyqësore për Gucatin do të mbahet më 1 tetor.

SHPËRNDAJE