Në Ditën Botërore të HIV-it, Spanja bën një zbulim të rëndësishëm

Përderisa në botë janë organizuar shumë ngjarje për ta shënuar Ditën Botërore kundër HIV-AIDS-it, mjekët spanjollë e kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm që do të mund ta revolucionalizonte trajtimin e sëmundjes vdekjeprurëse.

Në Spanjë jetojnë 140 mijë njerëz të infektuar me virusin HIV-AIDS, ndonëse ky shtet ka një ndër mekanizmat më të avancuar për trajtimin e sëmundjes së pashërueshme.

Mjeku Jose Alcami thotë se së bashku me ekipin e tij e ka bërë një zbulim që do të mund ta revolucionalizonte punën shkencore për ta luftuar sëmundjen.

“Ne zbuluam se 50 persona nga e njëjta familje e kishin një mutacion gjenetik që ua shkaktonte një sëmundje muskulore”, tha ai.

Udhëheqësi i këtij hulumtimi, të kryer në Qendrën Kombëtare të Imunologjisë dhe Mikrobiologjisë, shtoi: “Në të njëjtën kohë, ky mutacion gjenetik i mbronte këta persona nga infektimi me virusin HIV”, shtoi ai.

Ky mutacion e prek gjenin “Transportin 3”, i cili ka rol në futjen e virusit të HIV-it brenda qelizave. “Nëse ia dalim të prodhojmë një ilaç që mund ta riprodhojë efektin bllokues për ta bllokuar këtë gjen, ne do të mund t’i mbronim njerëzit nga infektimi me HIV”, sqaroi Alcami.

Ndonëse po vlerësohet si zbulim i rëndësishëm për trajtimin e virusit të rrezikshëm, pritet që një ilaç i tillë të mund të prodhohet vetëm pas një dekade, shkruan “France24”,