Në Marinë inaugurohet Kompleksi memorial i Dëshmorëve të Zonës së Drenicës

Me një ceremoni shtetërore sot është inauguruar kompleksi i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.

Në këtë kompleks janë rivarrosur 158 dëshmorë të zonës së Drenicës.

Me këtë rast presidenti Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin hero i Kosovës për të gjithë dëshmorët e varrosur në këtë kompleks.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë  se ky memorial është respekt institucional për ata që dhanë çdo gjë  për lirinë e vendit.

“UÇK  ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar populli shqiptar. Kush hyri në radhët e saj e përmbushën në aspiratë të kamotshme të popullit shqiptar. UÇK të pamundurën e bëri realitet. Ishte UÇK që fitoj mbështetje nga vendet më demokratike. Një mbështetje e tillë nuk mund të vinte pa gjakun e bashkëluftëtarëve dhe të qytetarëve të vendit”, u shpreh ai.

Presidenti edhe sot në Marinë ka folur për idenë e tij për korrigjimin e kufijve.

“Sot Kosova po punon në konsolidimin e brendshëm të saj, po punon  për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, presim edhe liberalizimin e vizave. Edhe FSK  po punojmë që ta transferojmë në ushtri. Si dhe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të punojmë për të fituar njohje reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Bashkimin e Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës”, tha ai.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke folur për dëshmorët e në veçanti për ata të Drenicës tha se Marina tash dot ë jetë Meka e Kosovës.

“Mujë Krasniqi, të gjithë ata që e njohin e dinë që ka qenë një hero i vërtet edhe sa ka qenë gjallë. I tillë ka ra edhe në altarin e lirisë dhe për t’iu thënë jo kufijve në mes shqiptarëve. Këtu kemi edhe shimë djem të cuk që janë gjallë dhe që prapë do të ishin në gjendje ti dilnin para Serbisë. Ajo çka na duhet më shumë është të jemi më të bashkuar, mos t’i hapim fjalë njëri – tjetrit. Kjo tokë është e shenjtë dhe duhet të ecim përpara. Është çështje javësh kur do ta kemi FSK  në ushtri. Vendi i kolosëve ka qenë gjithmonë Drenica, tash Marina do të jetë Meka e Kosovës për sa do të jetë Prekazi e të tjera vende”, tha Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka nisur fjalën e tij duke thënë “oj Drenicë a jeni more”. Ndërkohë që ka thënë se sot po rehatohen luftëtarët e kësaj toke.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, u shpreh se nga dita e sotme Marina ka hyrë në hartën e kombit si vend ku pushojnë viganët e lirisë.

“ Prej sot e kemi më të lehtë frymëmarrjen se po e përmbushim një detyrim ndaj kolosëve tanë të lirisë”, tha ai.

Jashari tha se  sot Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi e Abedin Rexha me dëshmorët e tjerë i japin Marinës një dimension që nuk e kishte.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është shprehur se sot heronjtë dhe dëshmorët janë bashkuar në zemër të Drenicës.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE